KPK me dy standarde, konfirmon në detyrë Deden, por shkarkon Xhoxhajn e Hoxhën

KPK me dy standarde, konfirmon në detyrë Deden, por shkarkon Xhoxhajn e Hoxhën Gjykata Kushtetuese

Megjithëse, gjeti shkelje në deklarimin e tij të pasurisë, në mënyrë të çuditshme, KPK ka vendosur dje të konfirmojë në detyrë Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja

Vendimi u mor nga trupa gjykuese që përbëhet nga  Valbona Sanxhaktari, Roland Ilia dhe Xhensila Pine.

Bashkim Dedja nuk ishte i pranishëm në sallë, por u mbrojt nga avokati Maks Haxhia, i njëjti avokat që mbron dhe ish-ministrin Tahiri në hetimet për përfshirje në trafik droge me bandën e Habilajve.

Avokati Haxhia sulmoi direkt relatoren e çështjes Xhensila Pine, menjëherë pas dhënies së vendimit, duke thënë se ajo shkeli ligjin gjatë seancës dëgjimore, duke bërë komente mbi mosjustifikimin e pasurisë së Dedes dhe paqartësitë në dosjen e tij.

Bëhet fjalë për probleme me tre apartamente në pronësi të Bashkim Dedes:

  1. Për një apartament me sipërfaqe 146 metra katrorë në Tiranë, Dedja ka thënë se ka marrë kredi prej 120 mijë eurosh, ka përdorur kursimet prej 35 mijë eurosh dhe ka marrë dy hua me vlera 10 dhe 15 mijë euro të marra tek kunati dhe vëllai i Dedes. Hetimi administrativ i KPK-së zbuloi r se kunati dhe vëllai i Dedes nuk i justifikojnë këto kursime.

Deklaratat e Zotit Dede mbi personat që i kanë dhënë borxh janë të dyshimta. Ai shprehet se i ka marrë borxh kunatit dhe më pas thotë se i ka marrë borxh babit të kunatit. Gjithashtu, deklaratat noteriale të paraqitura nga Zoti Dede për marrjen e huave kishin probleme— kunati, një prej kredidhënësve nuk kishte firmosur deklaratën noteriale.

Për këtë rast, avokati mbrojtës Maks Haxhia tha se të dy huadhënësit kishin qenë emigranët dhe si të gjithë emigrantët shqiptar kishin mungesë dokumentacioni për të vërtetuar kursimet.

2. Për një tjetër apartament 98 metra katrorë po në Tiranë, KPK ka gjetur sërish paqartësi në deklarim. Fillimisht në vitin 2003, Dedja ka thënë se ka në pronësi vetëm 50 për qind të apartamentin, ndërsa pjesa tjetër është e vëllait. Më pas, gjatë plotësimit të dokumenteve të vetingut, Dedja ka deklaruar se apartamentin e zotëron 100 për qind, pa vënë në dispozicion dokumentet e blerjes. Më pas gjyqtari ndërroi sërish deklarim, duke iu rikthyer variantit fillestar.

3. KPK ngriti dyshime dhe për deklarimet e ndryshme që gjyqtari ka bërë pranë ILDKPKI-së për një apartament në plazhin e Durrësit.  Për të njëjtën pronë, kontrata e energjisë është në emër të gjyqtarit, ndërsa pronësia apartamentit është në emër të vëllait të Bashkim Dedes, me profesion fermer në një fshat të Dibrës.

Të gjitha këto paqartësi, avokati Haxhia i justifikoi me “lidhjen mes vëllezërve në Shqipëri.”

Vendimi i komisionit të vetingut për Deden duket se zbulon dy standarde, pasi në rastet e gjyqtarëve të tjerë edhe kur ka patur parregullsi apo dyshimi krejt minimale, KPK ka vendosur shkarkimin.

Altina Xhoxhaj, edhe ajo anëtare e Gjykatës Kushtetuese, u shkarkua nga detyra sepse bashkëjetuesi i saj në vitin 2003, periudhë në të cilën nuk ka qenë i lidhur me gjykatësen, ka blerë me kursimet e veta një aparatment, të cilin në vitin 2005 pas daljes së hipotekës e ka regjistruar në emër të te dyve si pasojë e fillimit të bashkëjetesës.

Megjithëse Xhoxhaj vuri në dispozicion të KPK-së dokumentacionin e pasurisë së bashkëjetuesit nga viti 1992 deri në 200i, ato nuk u morën parasysh.

KPK po ashtu vlerësoi se ka paqartësi dhe mosrakordim për një sipërfaqe 12,14 metra katrorë për aparatamentin në Gjirin e Lalzit, të blerë me 2011. Në kontratët e shit-blerjes janë shënuar 12,14 metra katrorë më pas se sa në certifikatën e ALUIZNI-t.

Gjithashtu, KPK u shpreh se gjyqtarja Xhoxhaj nuk mbulon një shumë prej 1,9 milionë lekë në total për tre vitet së bashku, 2007, 2009 dhe 2015.

Fatmir Hoxha, tjetër anëtar i Gjykatës Kushtetuese, u shkarkua nga KPK pasi nuk mundi të justifikonte me dokumentacionin e nevojshëm një hua nga kunati prej 28 mijë e 500 euro për blerje shtëpie në vitin 2011, në Tiranë. Gjithashtu, KPK ka konsideruar problematik faktin se në deklarimin e bërë në vitin 2003, Hoxha kishte harruar të raportonte rreth 330 mijë lekë kursime (rreth tre mijë euro), mangësi që gjyqtari e kishte plotësuar në deklarimin e vitit 2004.

Rikonfirmimi në detyrë i Bashkim Dedes është një precedent që ve në dyshim të gjithë procesin e vetingut.

1 koment

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Komentet:

    Lajme te ngjashme