Ministrja Kumbaro mungon në seancë, artistët: Qeveria po grabit pasurinë publike, do uzurpojmë Teatrin Artistët gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Medias

Artistët e Teatrit Kombëtar u shprehën se do të uzurpojnë godinën e teatrit nëse qeveria nuk ndalon projektin e saj për të prishur teatrin e për të ndërtuar kulla.

Artistët ishin sot të pranishëm në një seancë dëgjimore me Komisionin e Medias dhe ministren Kumbaro, por kjo e fundit nuk u paraqit në seancë.

Artistët, me anë të një letre të hapur, dënuan grabitjen e tokës publike ku ndodhet teatri Kombëtar, për t’ja dhënë kompanisë private Fusha shpk.

“E ndjejmë veten të tradhëtuar e nuk mund të futemi në asnjë dialog që parashikon shembjen e Teatrit Kombëtar. Projektligji është arbitrar.

Nëse nuk do të kemi përgjigje deri të premten, trupa teatrore, ne artistët legjitimohemi të uzurpojmë godinën sit ë vetmen formë që zëri ynë të dëgjohet.”

Aktori Robert Ndrenika, i revoltuar, tha se mungesa e ministres në seancë tregon se qeveria që po grabit tokën publike për interest të oligarkëve, nuk përfill më asnjë:

“Bojkoti i tyre tregon se këtu duhet të nisë lufta. Unë erdha me mendjen që edhe të hyja në debat dhe të arsyetoja me të, kurse ata nuk vijnë fare.

Di të them që partneriteti publik privat me tokën e Teatrit Kombëtar është shqeto vjedhje, grabitje, një arbitraritet që ç’të të them. Kjo është grabitje. Ajo tokë e komunitetit teatror dhe të vijë një e të na e grabisë…”

Kryetarja e Komisionit të Medias Albana Vokshi mbështeti artistët dhe e quajti faljen e tokave publike privatit si “një grusht shteti institucional”.

Projektligji i veçantë që i kalon kompanisë private Fusha shpk tokën publike ku ndodhet Teatri Kombëtar, u bë publik nga qeveria pak ditë më parë. Ky projektligj shmang të gjitha procedurat e parashikuara me ligj për prokurimin publik, dhe shënon një precedent të rrezikshëm për sundimin e ligjit në Shqipëri. Më shumë për këtë projekligj mund të lexoni këtu.