Rama pranon të gjithë emigrantët e Evropës për pushtetin e tij

Kryeministri Edi Rama duket se po provon sërish të sigurojë mbështetje perendimore për pushtetin e tij, duke u vetëofruar të përballojë rreziqe dhe kosto për zgjidhjen e një problemi të brendshëm të tyre.

Gjatë takimit me Kancelarin Austriak Kurz, para dy javësh, Rama është ofruar në emër të Shqipërisë që të zgjidhë problemin e mbajtjes së refugjatëve dhe emigrantëve afrikanë dhe nga Lindja e Mesme larg portave të Europës. Të njejtën gjë, Rama tentoi ta bënte me pranim vullnetar të çmonitimit të armëve kimike të Sirisë, projekt që u ndal nga kundërshtia popullore. Më i suksesshëm qe ai kur pranoi të strehonte në Shqipëri rreth 3 mijë muxhahedinë iranianë të cilët qeveria amerikane nuk i linte dot mbrapa kur u tërhoq ushtarakisht nga Iraku.

Këtë herë bëhet fjalë për pranimin e emigrantëve të paligjshëm, të përzënë nga vendet e BE-së. Emigracioni i paligjshëm është problem i mprehtë për Bashkimin Europian; një pjesë e vendeve anëtare refuzojnë të pranojnë emigrantë, ndërsa të tjerat janë nën presion për të përzënë ata që kanë pranuar deri tani. Në këto kushte, një nga propozimet që po diskutohet është ai Austrisë, i mbështetur në parim edhe nga Gjermania, Hollanda dhe Danimarka për të ngritur disa kampe të mëdha, jashtë territorit të BE-së, për strehimin e të gjithë emigrantëve të paligjshëm që vendet e BE-së do të përzënë nga territoret e tyre.

Pikërisht, konsiderimin e Shqipërisë si një vend-ndodhje e mundshme për një kamp të tillë është ajo çfarë kryeministri Rama i ka vetëofruar kancelarit austriak Kurz në takimin e tyre në Vjenë në fund të majit.

Vendosja e kampeve në një vend jashtë BE-së, ka qenë pjesë e politikës së Kurz për ndalimin e emigracionit të paligjshëm në vendet e BE-së. Sipas gazetës amerikane Wall Street Journal, Kurz jo vetëm që kërkon të mbyllë kufijtë për emigrantët e paligjshëm, të cilët përpiqen të hyjnë në Evropë përmes rrugës së Mesdheut, por po planifikon krijimin e qendrave pritëse për ato emigrantë të cilët dëbohen nga vendet evropiane.

Vetë Kurz i pyetur për këtë projekt është shprehur se “ne kemi sugjeruar prej kohësh tashmë që ne duhet t’i ofrojmë mbrojtje emigrantëve jashtë Bashkimit Evropian, në një vend ku emigrantët të marrin mbrojtje dhe të mos ketë mundësinë të zgjedhin ato se ku do të shkojnë në Evropë”.

Sipas Kryeministrit të Danimarkës, vendet ku mund të ngrihen kampe të tilla duhet të plotësojnë kushtin që të mos jetë “në listën e emigrantëve apo trafikantëve të qënieve njerëzore, pra një vend jo tërheqës për trafikantët.”

Një plan propozim konkret për këtë zgjidhje do t’i paraqitet për diskutim Këshillit Europian në mbledhjen e rradhës në fund të qershorit.

Vendet europiane, jashtë Bashkimit Evropian, më të mundshme nisur nga pozita e tyre gjeografike janë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovinë dhe Serbi.

Duket se kryeministri Rama, po ngutet që të “sigurojë” që vend-ndodhja e kampeve të jetë Shqipëria si një manovër politike për të ruajtur mbështetjen e BE-së për të, pas problemeve të mëdha me drogën dhe krimin që qeverisja e tij ka sjellë.

Kjo përpjekje e tij mund të lexohet qartë në deklaratat e bëra në konferencën për shtyp më Kancelarin Kurz, më 30 maj:

Ne jemi të gatshëm që në këtë bashkëpunim, të vendosim në dispozicion të gjitha kapacitetet tona për të mundësuar nga njera anë, garantimin e sigurisë së kufijve dhe nga ana tjëtër, një trajtim dinjitoz të të gjithë njerëzve. Kështu që në këtë aspekt, unë e përsëris atë që tha Kancelari, që besoj se i kemi të gjitha mundësitë dhe besoj se kemi planin e duhur për ta parandaluar një rishfaqje të filmit të vitit 2015, që do ishte dramatik për të gjithë ne.

Për të justifikur këtë gadishmëri para publikut vendas dhe të huaj, Kryeministri Rama u përpoq që ta shesë problemin e emigraconit të paligjshëm edhe si një problem të vetë Shqipërisë. Ai fryu shifrat e emigrantëve të paligjshëm që kanë hyrë në Shqipëri, shumica tranzit drejt vendeve të tjera, për të fryrë rrezikun e Shqipërisë si një vend i ri i përdorur nga emigrantët e paligjshëm.

Nga Austria, Rama u shpreh se në periudhën janar-maj 2018 në Shqipëri janë regjistruar 2 311 emigrantë të paligjshëm:

Për të krijuar një ide të qartë se çfarë na shqetëson dhe për çfarë arsye i jemi drejtuar prej disa javësh miqvë tanë këtu në Austri, për të ndërtuar një bashkëpunim tani, pa pritur që gjërat të shkojnë pastaj në rrugën e vitit 2015, është që, nëse në janar – maj të vitit të kaluar, kemi pasur 162 emigrantë të parregullt, në janar – maj deri tani që flasim, numri i tyrë është 2311.”

Por, ky pohim i tij është i pavërtetë në bazë të statistikave të Agjensisë së Kombeve të Bashkuara të Emigracionit (IOM), që është institucioni kryesor që mbledh shifrat e emigrantëve për çdo vend. Sipas IOM, nga janari në maj 2018, janë regjistruar 6 700 emigrantë të paligjshëm të rinj që kanë hyrë në BE, nga Greqia përmes Shqipërisë, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës—rruga e re e përdorur nga emigrantët e paligjshëm.

Prej tyre, më shumë së dy të tretat e tyre, rreth 4227 persona, janë regjistruar në Bosnje-Hercegovinë, 1 362 emigrantë në Malin e Zi dhe 1 180 emigrantë në Shqipëri.

Shifra e ofruar nga Kryeministri shqiptar është dy herë më e lartë se ajo që raporton IOM, ndërsa Shqipëria është aktualisht vendi me numrin më të ulët të emigrantëve të regjistruar në rajon.

Përpjekja e Kryeministrit Rama për ta kthyer Shqipërinë në një vend pritës të emigrantëve të paligjshëm rrezikon të rëndojë më tej gjendjen e sigurisë në vend.

Shqipëria ka një nivel të lartë të krimit të organizuar dhe veçanërisht të trafiqeve, veçanërisht të drogës dhe qenieve jerëzore.

Sipas raporteve ndërkombëtare, Shqipëria është vend origjine dhe tranziti i trafikimit të qenieve njerëzore; është prodhuesi dhe furnizuesi më i madh i marijuanës në Evropë, pikë shpërndarjeje e heroinës në BE dhe vend kryesor tranziti të kokainës drejt BE-së, si dhe një bazë operacionale e krimit të organizuar në Ballkan.

Policia shqiptare është e dobët dhe ende vuan pasojat e skandlave të bashkëpunimit të drejtuesve të saj me organzizata të trafikut të drogës. Sipas raportit më të fundit të Departamentit amerikan të Shtetit për 2018 “Shqipëria nuk ka një polici të fortë që të sigurojë ruajtje e rendit në vend dhe sigurinë e qytetarëve të saj”.

Nga ana tjetër, emigracioni i paligjshëm shqiptar është bërë problem për vendet kryesore të BE-së. Qeveritë e disa vendeve Europiane përfshi Hollandën kanë kërcënuar vendin tonë më rikthimin e regjimit të vizave.

Kjo do të thotë jo vetëm se Shqipëria mbart rreziqe të mëdhaja për strehimin e emigrantëve të paligjshëm pasi strehimi i tyre do të rëndojë dhe destabilizojë gjendjen delikate të sigurisë publike në vend. Përkeqësimi i kësaj gjendjeje do të ketë pasoja në integrimin europian të vendit duke qenë se arritjet kundër krimit dhe korrupsionit janë kushte kryesore për hapjen e negociatave me BE-në.