SHBA largohet nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut në OKB Nikki Haley, ambasadorja e SHBA-ve në Kombët e Bashkuara

Shtetet e Bashkuara të Amerikës u tërhoqën sot nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, duke e quajtë atë një organizëm hipokrit që “përbën tallje për të drejtat e njeriut”.

Njoftimi u dha sot nga Nikki Haley, ambasadorja e SHBA-ve në Kombët e Bashkuara.

Në deklaratën e saj, Haley e quajti Këshillin “politikisht të motivuar”:

Abuzuesit e të drejtave të njeriut vazhdojnë të shërbejnë e të zgjidhen në Këshill. Regjimet më çnjerëzore të botës vazhdojnë t’i shpëtojnë shqyrtimit dhe Këshilli ndjek si përherë politikën e dashit të kurbanit, me shtete që kanë të dhëna pozitive të këtyre të drejtave, në përpjekje për ta tërhequr vëmendjen nga abuzuesit në radhët e tij.

Sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo po ashtu u shpreh:

Nuk kemi dyshim se dikur ky Këshill ishte një vizion fisnik, por sot është një mbrojtës i dobët i të drejtave të njeriut.

Vendimi i SHBA-ve u kritikua nga zyrtarët e lartë të OKB-së. Sekretari i Përgjithshëm i OKB António Guterres tha se do të kishte dashur që SHBA të mbeteshin ende anëtarë në Këshill, ndërsa Komisioneri i të drejtave të njeriut i OKB-së, Zeid Raad Al Hussein e quajti vendimin “zhgënjyes”.

Tërheqja e SHBA-së i largon Këshillit të OKB-së një zë të madh e të rëndësishëm në luftën për të drejtat e njeriut dhe largon nga Këshilli mbrojtësin më të fortë të Izraelit.

Shumë avokatë të të drejtave të njeriut bien dakord se Këshilli ka nevojë të madhe për reforma dhe është i njëanshëm në çështjen e Izraelit, por largimi i SHBA-ve nuk do t’i rregullojë këto probleme.

Këshilli i të Drejtave të Njeriut është krijuar në vitin 2006 dhe ndodhet me seli në Gjenevë. Misioni i Këshillit është promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut në gjithë botës.