Tarifa për Rrugën e Kombit, banorët e Kukësit do të paguajnë 100 lekë për kalim

Tarifa për kalimin e Rrugës së Kombit për banorët e qarkut Kukës dhe zonave përreth pritet të jetë 100 lekë për një kalim ose 200 lekë për dy kalime. Lajmin e bën të ditur Top Channel.

Dy muaj pas protestës kundër tarifave për kalimin e Rrugës së Kombit dhe arrestimit të kuksianëve, duket se kompania koncesionare dhe qeveria kanë arritur në këtë zgjidhje që sërish do të jetë një barrë ekonomike për banorët e qarkut më të varfër në vend.

Megjithëse ulja e tarifës duket sikur favorizon qytetarët, të ardhurat e munguara nga kjo ulje do t’i paguhen kompanisë koncesionare nga buxheti i shtetit, pra nga taksapaguesit shqiptarë.

Nuk dihet ende se kur do të fillojë aplikimi i tarifave për kalim në Rrugën e Kombit, duke qenë se kompania koncesionare po punon ende për rregullimin e kabinave që u dëmtuan nga protestuesit gjatë protestës së 20 marsit.

Por sipas Top Channel, përfaqësues të qeverisë dhe kompanisë koncesionare, javën e ardhshme do të nisin vizitat në qarkun e Kukësit për t’i prezantuar banorëve formulën e re të pagesës.

Vendosja e tarifave

Vendosja e tarifave për kalimin në Rrugën e Kombit u lajmërua nga qeveria në fund të marsit 2018.

Tarifat e miratuara nga qeveria janë këto:

– Motorët do të paguajnë 2,5 euro për çdo kalim, pra 5 euro vajtje-ardhje;

– Autoveturat do të paguajnë 5 euro për çdo kalim, pra 10 euro vajtje-ardhje;

– Autobusët dhe kamionçinat do të paguajnë 11,2 euro për çdo kalim, pra 22,4 euro vajtje-ardhje;

– Kamionët e mesëm do të paguajnë 16,2 euro për çdo kalim, pra 32,4 euro vajtje-ardhje;

– Kamionët e rëndë do të paguajnë 22,5 euro për çdo kalim, pra 45 euro vajtje-ardhje.