Veliaj i shpjegon sjelljet e qytetarëve të Tiranës përmes frustrimit të tyre seksual

Kryebashkiaku Veliaj, gjatë një interviste të dhënë të hënën në mbrëmje për Ilva Taren, komentoi, ndër të tjera, edhe një sërë sjelljesh shoqërore të papëlqyeshme të qytetarëve të Tiranës. Por, në çdo rast ai i shpjegoi ato si rezultat i frustrimit seksual të qytetarëve meshkuj të qytetit:

Kur ti shikon dikë si një i moshuar që merr pak kohë të kalojë vijat e bardha dhe shikon një njeri të frustruar seksualisht që i bie borisë me një makinë të madhe dhe nuk pret një gjyshe 80 vjeçare të kalojë, sigurisht ai është tipi ideal për gjobë, si në çdo vend normal.

– Këta të frustruarit e tjerë që mbajnë pitbulla. Një mashkull duhet të jetë seksualisht rëndë i frustruar që të shëtisë me pitbull. Ka probleme që vetëm Frojdi mund t’i zgjidhë. Këta njerëz do të duhet të përballen me ligjin.

– Edhe unë dhe Niko [Peleshi] jemi radikal dhe po diskutojmë që të ndalohet komplet importi i këtyre kafshëve agresive dhe në pamundësi për të patur Frojdin që asiston për të gjithë këta meshkuj të frustruar.

– Zakonisht janë ata që në gjuhën popullore duan të jenë kategoria e lacave që shëtisin me pitbull që të fitojnë respekt, që nuk e fitojnë dot ndryshe nga popullsia. Ky është mendimi im joshkencor.

Jo shkencërisht, mund të mendohet se, ndërsa qytetarët e zgjidhin frustrimin e tyre seksual përmes mbajtjes së qenve agresive, vetë kryebashkiaku Veliaj e zgjidh duke ngritur kullat të larta në Tiranë.