Vlorë, kapen 500 kilogramë të tjerë kanabis

Rreth 500 kilogramë kanabis u kapën sot nga policia në Gjirin e Bristanit në Karabun.

Policia nisi kërkimet në këtë zonë pasi në orët e para të mëngjesit u kap një gomone 12 metra e gjatë në brigjet e plazhit të Darzezës, në Fier.

Policia nuk arriti të kapë skafistët, të cilët sapo pikasën se po ndiqeshin, braktisën gomonen dhe u fshehën në pyll.

Kjo është ngarkesa e dytë e madhe e kapur në të njëjtën zonë brenda dy javësh. Më 5 qershor, në të njëjtën zonë u kapën 671 kilogramë kanabis dhe u bastisën nga policia disa depo ku mbahej lënda narkotike, por asnjë prej drejtuesve të bandës nuk u arrestua.

Sipas informacioneve të derimëtanishme, dy ngarkesat kanë lidhje me njëra tjetrën dhe ishin të destinuara për në Itali.