Zëvendësministrja e Brendshme: Nuk ka ende kërkesë zyrtare nga BE për ndërtimin e kampeve të azilkërkuesve Rovena Voda

Zëvendësministrja e Brendshme Rovena Voda deklaroi sot se Shqipëria nuk ka ende kërkesë zyrtare nga BE për të ndërtuar kamp për migrantët që dëbohen nga Evropa.

Pyetur nga gazetarët, Zonja Voda u shpreh:

“Për momentin ne nuk kemi asnjë kërkesë zyrtare apo njoftim zyrtar nga ndonjë vend i BE-së apo nga Komisioni Evropian për të ndërtuar një kamp për migrantët e ardhur nga vendet e treta apo refugjatët. Ne në Tiranë kemi një qendër pritesë për azilkërkuesit, por jo kamp.”

Ndërsa pyetur për qendrën pritëse për luftëtarët e ISIS që kthehen në territorin e Ballkanit, zonja Voda u shpreh:

“Përgjigja ime zyrtare do të ishte përsëri jo, për sa kohë që në cilësinë e ZëvendësMinistres së Brendshme nuk kam asnjë njoftim zyrtar, nuk mund të spekuloj, jo unë por asnjë nga ne, për ndërtimin e një kampi të tillë.”

Ditët e fundit në Shqipëri është përfolur ideja e ndërtimit të dy kampeve: një për azilkërkuesit që do të dëbohen nga vendet e BE-së dhe një tjetër për luftëtarët e ISIS.

Lajmi për kampin e luftëtarëve të ISIS u bë i ditur jo nga qeveria, por nga Kryeministri i Bullgarisë Boyko Borissov, gjatë një konference kundër Ekstramizmit të Dhunshëm, zhvilluar në Tiranë me mbështetjen e Mbretit të Jordanisë.

Ndërsa lideja për ndërtimin e një kampi për azilkërkuesit dhe refugjatët është propozuar nga Austria, mbështetur në parim edhe nga Gjermania, Hollanda dhe Danimarka, dhe fjalimi i Kryeministrit Rama gjatë takimit me Kryeministrit austriak Kurz, që mund ta lexoni këtu, la të kuptohej që Shqipëria do të ndihmonte vendet e BE-së në luftën kundër migrantëve të paligjshëm, në këmbim të hapjes së negociatave.