Zëvendës Ministri Hodaj: Shqipëria mund të strehojë 600 mijë emigrantë sirianë

“Shqipëria ka kapacitet dhe eksperiencë për të strehuar deri në 600 mijë emigrantë sirianë. E ka treguar këtë edhe në të kaluarën gjatë luftës së Kosovës”.

Kështu ka deklaruar Zëvendës Ministri i Brendshëm Julian Hodaj gjatë një interviste për median gjermane ZDF, e cila u bë publike nga ish-Kryeministri Sali Berisha.

Deklarata e Zotit Hodaj bëhet pas propozimit që Kryeministri Rama i ka bërë Kancelarit austriak Kurz në takimin e tyre në Vjenë në fund të majit, për të për të ngritur në Shqipërinë një kampit për mbajtjen e emigrantëve të dëbuar nga BE, duke zgjidhur kështu problemin e emigrantëve të paligjshëm në vendet e BE-së.

Mesa duket qeveria Rama me deklarata e njëpasnjëshme për publikun gjerman — në fillim të majit Kryeministri Rama, javën e kaluar Zëvendës Ministrja e Brendshme Vodaj dhe tani Zëvendësministri Julian Hodaj — po përpiqet t’i mbushë mendjen Austrisë dhe Gjermanisë se Shqipëria i plotëson kushtet për strehim e emigrantëve të paligjshëm dhe mbajtjen e tyre jashtë mureve të BE-së.

Kjo duket si një manovër politike e Kryeministrit Rama për të ruajtur mbështetjen e BE-së për të, pas problemeve të mëdha me drogën dhe krimin që ai ka ndeshur.

Emigracioni i paligjshëm është problem i mprehtë për Bashkimin Europian; një pjesë e vendeve anëtare refuzojnë të pranojnë emigrantë, ndërsa të tjerat janë nën presion për të përzënë ata që kanë pranuar deri tani.

Në këto kushte, një nga propozimet që po diskutohet është ai Austrisë, i mbështetur në parim edhe nga Gjermania, Hollanda dhe Danimarka për të ngritur disa kampe të mëdha, jashtë territorit të BE-së, për strehimin e të gjithë emigrantëve të paligjshëm që vendet e BE-së do të përzënë nga territoret e tyre.

Vendosja e kampeve në një vend jashtë BE-së, ka qenë pjesë e politikës së Kurz për ndalimin e emigracionit të paligjshëm në vendet e BE-së.

Një plan propozim konkret për këtë zgjidhje do t’i paraqitet për diskutim Këshillit Europian në mbledhjen e rradhës në fund të qershorit.