Zyrtare: Shqipërisë nuk i hapen negociatat. Franca dhe Hollanda vendosin veton, Gjermania kushte.

Zyrtare: Shqipërisë nuk i hapen negociatat. Franca dhe Hollanda vendosin veton, Gjermania kushte.

Këshilli i Punëve të Jashtme i BE-së në mbledhjen e sotme në Luksemburg ka vendosur që të heqë nga axhenda e mbledhjes së Samitit Europian, që zhvillohet pas dy ditësh, çështjen e zgjerimit, duke e shtyrë për të ardhmen vendimin për Shqipërinë dhe Maqedoninë, me gjasa për në dhjetor 2019, pas zgjedhjes së Komisionit të ri Europian.

Sipas burimeve nga mbledhja, Franca dhe Hollanda kanë vendosur veton për mos hapjen e negociatave me asnjë nga vendet. Arsyetimi i tyre për veton në rastin e Shqipërisë ishte gjendja e keqe e krimit dhe korrupsionit në vend.

Ndërsa, Gjermania ka propozuar miratimin në parim të hapjen e negociatave, por kushtëzimin e fillimit praktik të negociatave me përmbushjen e një sërë kushtesh.

Për Shqipërinë kushtet kanë qenë themelore, përfshi hartimin dhe zbatimin e një reforme zgjedhore, rezultate konkrete në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, krijimin e SPAK, prokurorisë anti korrupsion, dhe byrosë së hetimeve, përparimin e vetingut dhe ndjekjen penale të prokurorëve dhe gjyqtarëve të përjashtuar nga vetingu.

Ka patur përpjekje në takim për të bindur tre shtetet kundër për përqafimin e propozimit gjerman, por kjo dakordësi nuk është arritur.

Për këtë arsye, çështja e zgjerimit është hequr fare nga axhenda e Këshillit Europian që do të mbahet më 28-29 qershor në Bruksel, për një kohë të pacaktuar.

Ka një mundësi të vogël që çështja të rikonsiderohet në Këshillin Europian të qershorit 2019, por gjasat më të mëdha janë që vendimi të shtyhet për në Dhjetor 2019, pas zgjedhjeve europarlamentare të majit 2019 dhe pas krijimit të Komisionit të ri Europian në fund të nëntorit 2019, i cili do të zëvendësojë Komisionin Juncker.

Lajme te ngjashme