Nga Marash Logu
Arsyet pse Presidenti Meta nuk duhet ta dekretojë ligjin për Teatrin

Pas autorizimit për negociatat me Greqinë, ligji për Teatrin duket të jetë çështja më sfiduese për Presidentin Meta në këtë vit të parë të mandatit të tij presidencial. Presidenti duhet ta dekretojë ose ta kthejë mbrapsht ligjin për Teatrin brenda 20 ditëve nga paraqitja e tij (nenet 84 dhe 85 të Kushtetutës). Vendimi i tij është padyshim më i rëndësishmi i momentit pasi ky vendim do të konfigurojë marrëdhëniet e tij të ardhshme me qeverinë, opozitën dhe qytetarët e vendit.

Kushtetuta, integrimi europian, ligjet dhe interesi publik diktojnë vendimin e Presidentit për kthimin e ligjit në Kuvend, por shpesh këto të parat kanë qenë të pamjaftueshme. Padashur të paragjykojmë vendimin e Presidentit, është vendi të rendisimin edhe njëherë të gjitha arsyet pse zoti Meta duhet të mos e dekretojë Ligjin për Teatrin:

1— Ligji i ri i teatrit shkel autonominë e qeverisjes vendore

Ligji i ri i Teatrit urdhëron tjetërsimin e tokës publike në pronësi të Bashkisë Tiranë në favor të firmës Fusha shpk.

Por, Neni 13 i Kushtetutës përcakton se qeverisja vendore ngrihet “në bazë të parimit të decentralizmit të pushtetit dhe ushtrohet sipas parimit të autonomisë vendore”.

Ndërsa Neni 113 i Kushtetutës përcakton qartë se janë këshillet bashkiakë autoritetet që “ushtrojnë të drejtat e pronës, administrojnë në mënyrë të pavarur të ardhurat e krijuara, si dhe kanë të drejtë të ushtrojnë veprimtari ekonomike.” 

Bashkia Tiranë ka në pronësi të saj rreth 2100 metra katrorë, pronë për të cilën vetëm Këshilli Bashkiak i Tiranës ka të drejtën e tjetërsimit të saj. 

Këto parime kushtetuese janë detajuar më tej:

në Ligjin 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, i cili në nenin 54 të tij parashikon qartë se tjetërsimi ose dhënien në përdorim të pronave të tretëve, është kompetencë e këshillit bashkiak, dhe sipas nenit 55 miratohet me votën e tre të pestave të anëtarëve të këshillit. Ky ligj është ligj organik, i miratuar me tre të pestat e Kuvendit, dhe ka precedencë mbi çdo ligj të miratuar me shumicë të thjeshtë si ky i propozuar. Kjo do të thotë që Kuvendi nuk mund të miratojë me shumicë të thjeshtë asnjë ligj tjetër që bie ndesh me të.

Vendimin numër 3/2009 të Gjykatës Kushtetuese sipas së cilit organet qëndrore nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë në kompetencat që i përkasin organeve vendore.

Njësitë vendore vetëqeverisëse nuk mund të pengohen në hapësirën juridiksionale të tyre, nga organet e pushtetit qendror, pasi ato kanë fushën e tyre të veprimtarisë të parashikuar nga Kushtetuta. Vetqeverisja vendore paraqitet me një status kushtetues që konsiston në ushtrimin nga organet e qeverisjes vendore të punëve brenda juridiksionit të tyre, pa ndërhyrjen e organeve të pushtetit qendror“.

Vendimin nr. 29/2006 të Gjykatës Kushtetuese ku parashikohet se “planifikimi urban dhe menaxhimi i tokës janë kompetenca të plota dhe ekskluzive të autoriteteve vendore”.

Vendimet e mësipërme pavarësisht mosfunksionimit të Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim nga çdo institucion bazuar në nenin 132 të Kushtetutës. Pra, Kuvendi dhe çdo institucion shtetëror përfshirë dhe Presidentin kanë detyrimin e respektimit të tyre.

Nenin 3 dhe 4 të Kartës Europiane të Autonomisë Vendore, ratifikuar me ligj nga Kuvendi, sipas së cilës organet qëndrore përfshirë edhe Kuvendin nuk mund të kufizojnë të drejtat e njohura e organeve vendore me Kushtetutë dhe ligje të tjera. Kjo do të thotë se Kuvendi nuk ka të drejtë të tjetërsojë pronat e bashkisë sepse shkel kompetencën eskluzive të këshillit bashkiak.

2— Ligji i teatrit shkel parimin e konkurencës së lirë dhe mosdiskriminimin. Ky parimi është sanksionuar në:

Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit e cila përbën kuadrin rregullues ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së, sipas së cilës parashikohet se kontratat publike duhet të lidhen bazuar mbi parimet e konkurrencës së lirë dhe mos-diskriminimit (nenet 71 dhe 74).

Përzgjedhja me ligj e një sipërmarrjeje private për lidhjen e një kontrate publike, dhunon këto parime, pasi e bën të pamundur për çdo kompani shqiptare dhe europiane të marrë pjesë në realizimin e këtij projekti. Në kushtet kur Shqipëria kërkon me këmbëngulje anëtarësimin në BE paracaktimi me ligj i një sipërmarrjeje private për realizimin e një kontrate publike dhunon parimet mbi të cilat ngrihet tregu i përbashkët evropian.

Argumenti se kjo sipërmarrje është pronar kufitar nuk qëndron sepse nuk asnjë ligj apo nen i Kushtetutes nuk i jep të drejtën një shoqërie private të përfitojë me ligj të veçantë eksluzivitetin e ndërtimit apo zhvillimit të zonës, pa u përfshirë më parë në një procedurë konkurese.

Për më tepër, siç është faktuar këto ditë bëhet fjalë për një pronë të vogël (289 metra katrorë), e cila gjendet në kufi të pronës së Teatrit.

3— Projekti i godinës së Teatrit shkel ligjin nr. 125/2013 “Për koncensionet dhe partneritetin publik privat”, i cili përcakton mënyrën e realizimit të një partneriteti publik privat. Neni 25 i këtij ligj parashikon procedurën që duhet ndjekur në rastet kur kemi propozime të pakërkuara— sikurse është propozimi i Fusha shpk— të cilat nëse pranohen shërbejnë për çeljen e një konkursi publik.

4— Ky ligj shkel nenin 3 të Kushtetutës, sipas së cilit  “trashëgimia kombëtare është baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë ta respektojë dhe ta mbrojë”.

Vlerat e paçmuara europiane të kësaj prone publike u vlerësuan së fundmi edhe nga Komiteti Ndërkombëtar për Ruajtjen e Ndërtesave (DoCoMoMo) dhe nga Federata Pan-Evropiane për Trashëgimin Kulturore (Europa Nostra), e cila pohon se:

“Teatri Kombëtar është një shembull i jashtëzakonshëm i arkitekturës moderne italiane nga ajo periudhë dhe është e vetmja ndërtesë e llojit të saj në Tiranë”.

Arsyet e mësipërme tregojnë se ky ligj nuk respekton në frymë dhe germë Kushtetutën e Shqipërisë, Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, Kartën Europiane të Autonomisë Vendore dhe ligjet e tjera të vendit.

Në kushtet kur Gjykata Kushtetuese nuk funksionon për shkak të mungesës së anëtarëve të saj, atëherë roli i Presidentit merr një rëndësi të veçantë. Në cilësinë e tij si Kryetar i Shtetit ka si detyrë parësore të mbrojë Kushtetutën. Ai duhet ta kthejë ligjin për Teatrin në Kuvend, duke mos i hapur rrugë kësaj përpjekjeje antikushtetuese e antiligjore, e cila mund të shndërrohet në një precedent të pashoq në historinë e një vendi kandidat për anëtar në Bashkimin Europian.