Atentati ndaj Doshit, Prokuroria apelon vendimin e gjykatës për pafajësinë e Doshit Mark Frroku dhe Tom Doshi

Prokuroria e Tiranës ka apeluar sot vendimin e gjykatës së Tiranës për të shpallur të pafajshëm deputetin Tom Doshi, akuzuar për “kallëzim të rremë” lidhur me atentatin ndaj Doshit.

Gjykata e Tiranës vendosi shpalljen si të pafajshëm për deputetin Doshi, për ngjarjen e ndodhur në vitin 2015, kur deputeti Doshi akuzoi Presidentin Meta, në atë kohë kryetar i Kuvendit, se kishte organizuar atentat për ta vrarë atë.

Sipas Prokurorisë, Doshi ishte një prej organizatorëve të këtij inskenimi së bashku me Mark Frrokun dhe Durim Bamin, ndaj e ka apeluar vendimin dhe kërkon dënimin me një vit burg për Doshin.

Për këtë rast, Gjykata e Tiranës dënoi me një vit burg ish-deputetin Mark Frroku për “kallëzim të rremë” dhe Durim Bamin, i cili ndodhej në burg prej kohësh.

Sa i takon ish-deputetit Frroku, nga një vit, dënimi shkurtohet në 8 muaj, duke qenë se Frroku kishte kërkuar gjykim të shkurtuar. Dënimi i tij do të konvertohet në shërbim prove.

Kujtojmë se Mark Frroku sapo ka dalë nga burgu ku vuajti dënimin për akuzat “fshehje të pasurisë”, “pastrim parash” dhe “ndërtim të paligjshëm”.