Gjykata e Lartë, prokuroria kërkon arrest me burg për Saimir Tahirin Ish-ministri Saimir Tahiri dhe avokati i tij Maks Haxhia

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon vendosjes e masës së sigurisë “arrest me burg” për ish-ministrin Tahiri.

Prokuroria dërgoi sot në Gjykatën e Lartë vendimin e gjykatës së Apelit, marrë më 28 maj, për heqjen e masës së sigurisë dhe hetimin në liri të Tahirit.

Sipas prokurorisë, ish-ministri Tahiri mund të zhdukë ose të prishë provat që e lidhin atë me bandën ndërkombëtare të trafikut të lëndëve narkotike të drejtuar nga vëllezërit Habilaj.

Saimir Tahiri akuzohet për “trafikimin e narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, e parashikuar në nenet 283/a dhe 333/a, në lidhje me nenin 28 të Kodit Penal dhe, “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, e parashikuar në nenin 260 të Kodit Penal.

Ish-ministri Tahiri u vendos nën arrest shtëpiak më 12 maj, me vendim të gjykatës së Krimeve të Rënda.

Por më pas Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda la të lirë Tahirin dhe sot ai vazhdon të hetohet në liri.