Fshehu të shkuarën kriminale, Elvis Rroshi dënohet me 60 orë punë në komunitet

Gjykata e Tiranës dënoi sot vetëm me 5 muaj burg  të konvertuara në 60 orë punë në komunitet, ish-kryebashkiakun e Kavajës Elvis Rroshi. Elvis Rroshi u dënua për fshehje të së shkuarës kriminale në formularët e vetëdeklarimit.

Për këtë rast, prokuroria kërkoi  7 muaj e 15 ditë burg, por gjykata e uli dënimin.

Elvis Rroshi është një ndër kryebashkiakët që falë ligjit të dekriminalizimit u  shkarkua nga detyra pasi fshehu disa fakte të së shkuarës së tij:

  • Në vitin 1995, dënuar në Itali për veprën penale të përdhunimit në grup;
  • Në vitin 1995, dëbuar nga shteti Italian;
  • Në vitin 1993, dëbuar nga shteti zvicerian;
  • Në vitin 1997, arrestuar dhe dëbuar për herë të dytë nga shteti zvicerian.

Rroshi u shkarkua më 29 dhjetor 2016, nga Këshilli i Ministrave me motivacionin për shkelje të rënda të ligjit. Megjithatë shkarkimi nga detyra si kryebashkiak nuk e ka ndalur Rroshin të jetë ende aktiv brenda strukturave të Partisë Socialiste.