Gjykatës Evropiane e Auditimit: Qeveria jep 30 përqind të tendërve pa garë, mungon transparenca

Qeveria shqiptare ka zhvilluar 30 për qind të prokurimeve publike pa garë, por nëpërmjet procedurës së negocimit pa shpallje paraprake, gjatë vitit 2017.

Ky është përfundimi i një raporti të Gjykatës Evropiane e Auditimit (ECA), institucioni që kontrollon financat e gjithë BE-së.

Zhvillimi i tenderëve publike pa garë, por me negocim pa shpallje mbart risk të lartë për abuzim me buxhetin e shtetit. Në këto tenderë mungon transparenca dhe gara, ç’ka bën të mundur që për një shërbim të mos ketë disa oferta, nga kompani të ndryshme, me çmime të ndryshme.

Vetë Agjencia e Prokurimit Publik, për vitet e mëparshme, ka raportuar se duke përdorur procedurën me negociim, shfrytëzohet pothuaj i gjithë fondi limit i vënë në dispozicion, pasi kompanitë që hyjnë në negocim me institucionet janë të caktuara paraprakisht dhe nuk kanë asnjë shtysë që të ofrojnë shërbimet e tyre për çmime më të ulëta se sa fondi limit i tenderit.

Po ashtu, Gjykata Evropiane e Auditimit vë në dukje se kuadri ligjor shqiptar i prokurimeve publike ende nuk është përafruar me atë evropian, madje nuk është as në një linjë me strategjinë e qeverisë për menaxhimin financiar.

Legjislacioni shqiptar për prokurimet publike lejon përdorimin e procedurës me negocim vetëm në raste “emergjence”, por Gjykata Evropiane e Auditimit vlerëson se ligji nuk ka përkufizime shumë të qarta për rastet e emergjencës, ç’ka lë vend për abuzime nga ana e institucioneve.

Ndër të tjera, GJEA i rekomandon qeverisë shqiptare që të harmonizojë ligjin, jo vetëm me atë evropian, por dhe me  legjislacionin e menaxhimit financiar  të shqipërisë. Po ashtu, një tjetër rekomandim që shërbën për rritjen e transparencës ndaj qytetarëve është vënia në punë e një sistemi elektronik për prokurimet publike me negocim.