Gjyqtari i filmuar duke marrë rryshfet kalon vetingun

Gjyqtari i filmuar duke marrë rryshfet kalon vetingun Gjyqtari i Gjykatës së Apelit Tiranë, Ilir Toska

Partia Demokratike denoncoi sot vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualfikimit për të konfirmuar në detyrë gjyqtarin Ilir Toska, për të cilin ka prova filmike se ka marrë rryshfet që të mos i jepte masë disiplinore ndaj një gjyqtari të korruptuar.

Me anë të një deklaratë për shtyp, deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj denoncoi:

“Gjyqtari Ilir Toska, kandidat i Edi Ramës për Këshillin e Lartë Gjyqësor është vlerësuar nga institucionet përgjegjëse dhe shërbimet inteligjente si i papërshtatshëm me detyrën dhe duhet shkarkuar nga organet e vettingut. Siç thuhet në raportin zyrtar, gjyqtari Ilir Toska, kandidat i Edi Ramës për këshillin e Lartë Gjyqësor, “rezulton individ i mundshëm për t’u vënë nën presion nga struktura kriminale”, por ai u konfirmua në detyrë nga vetting me urdhër politik të Edi Ramës.

Raporti zyrtar i shërbimeve inteligjente bazohet në një përgjim me zë dhe figurë, ku gjyqtari Ilir Toska është përfshirë në korrupsion. Sipas materialeve që kanë në dosje organet  e vettingut rezulton se Shërbimi Informativ Shtetëror u  kishte dërguar autoriteteve më të larta të kohës, Presidentit Alfred Moisiu dhe Ministrit të Drejtësisë, Fatmir Xhafaj një material audioviziv, ku provohej se Ilir Toska, në atë kohë kryeinspektor i KLD-së, ka marrë para me ndërmjetësimin e një punonjësi të Ministrisë së Brendshme, që ai të mos i jepte masë disiplinore një gjyqtari të korruptuar. “

Gjyqtari i Apelit Ilir Toska u rikonfirmua në detyrë nga KPK në qershor 2018, pavarësisht vlerësimit negativ nga DSIK për pastërtinë e figurës dhe disa pasaktësi në deklarimin e pasurisë.

KPK nuk mori parasysh as gjashtë ankesat në drejtim të gjyqtarit Toska nga qytetarë të thjeshtë.

Sipas opozitës, rasti i gjyqtarit Toska nuk është rasti i vetëm që tregon përdorjen e standardeve të dyfishta nga KPK dhe kapjen e procesit të vetingut nga Kryeministri Rama.

“Partia Demokratike do të vazhdojë të bëjë transparencë e këtij procesi të korruptuar politikisht nga Edi Rama, qëllimi kryesor i të cilit është zbatimi i projektit mafioz të kapjes së sistemit të drejtësisë për ta vënë atë në shërbim të mbrojtjes së korrupsionit dhe krimit të organizuar, më të cilin qeveris vendin,” mbylli deklaratën Zoti Alibeaj.

 

Lajme te ngjashme