Gjyqtari i fundit i Gjykatës së Lartë, Medi Bici përballet me vetingun

Gjyqtari Medi Bici, i fundit anëtar i Gjykatës së Lartë, do të përballet sot me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit në kuadër të procesit të vetingut.

Gjyqtari Bici është pjesë e listës prioritare të vetingut pasi kandidon për një post në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Trupa që do të zhvillojë seancën me Zotin Bici përbëhet nga Xhensila Pine, Etleda Çiftja dhe Valbona Sanxhaktari.

Medi Bici është pjesë e sistemit të drejtësisë që prej vitit 1994 dhe deri në vitin 2004 ka punuar gjyqtar në Gjykatën e Tiranës. Më pas deri në vitin 2010, u zhvendos në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda. Ndërsa që prej vitit 2013, Medi Bici është anëtar i Gjykatës së Lartë.

Sipas analizës së pasurisë bërë nga BIRN, në vitin 2003 kur zoti Bici ka bërë deklarimin e parë, pasuria e tij kishte vlerën e 7,5 milionë lekëve. Kjo pasuri përbëhej nga një shtëpi dykatëshe në Tiranë në vlerën e 6 milionë lekëve; një automjet dhe kursime cash në vlerën e 500 mijë lekëve.

Në deklarimin e fundit, bërë në fund të 2017-ës, pasuria e familjes Bici ka vlerën e 12,1 milionë lekëve: e njëjta shtëpi me vlerë 6 milionë lekë, automjete në vlerë 1,6 milionë lekëve, 3,2 milionë lekë kursime në bankë dhe 500 mijë lekë kursime cash.

Nga analiza e pasurisë së Zotit Bici, vihet re se ka paqartësi mbi burimin e të ardhurave për ndërtimin e shtëpisë dykatëshe. Zoti Bici ka raportuar si burim për këtë pasuri “të ardhurat nga puna dhe ndihma e vëllezërve emigrantë në Itali”, pa specifikuar kontributin e secilit prej tyre.”

Deri më tani, nga Gjykata e Lartë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë kreun e gjykatës Xhezair Zaganjorin dhe anëtarët Edmond Islamaj e Ardian Dvorani, Ndërkohë që janë shkarkuar nga detyra Admir Thanza, Artan Zeneli dhe Tom Ndreca, ndërsa pritet që të merret vendimi për Shkëlzen Selimin dhe Artan Brocin.