Nga Desada Metaj
Ky hyn Edi Rama, nuk hyn vettingu

Zellit të linçimit për prokurorët dhe gjykatësit e shkarkuar nga vetting-u i kanë munguar këto ditë lëvdatat për ata që i kaluan sitës së këtij procesi, tejet të diskutuar gjerësisht në opinion publik. Tashmë nuk përbën më lajm kryesor kush nuk e kalon vetting-un, lajm janë ata që megjithë problemet e ngjashme me kolegët e tyre, arrijnë të qëndrojnë në sistemin e drejtësisë që për momentin është i rrethuar me pikëpyetje të forta për legjitimitetin e tij.

Zërave entuziastë për shkarkimin e gjykatësve dhe prokurorëve u ka shpëtuar jetëshkrimi dhe pasuria e atyre që e tejkaluan këtë “provim” edhe pse milionat i kishin dhuratë nga prindër pensionistë, gratë me afërsi familjare me Vilma Nushin (e denoncuar disa herë nga opozita si kliente e kryeministrit dhe fituese e koncesionit të dështuar të check up-it) apo dhe më rëndë akoma, të ushtruarit të funksionit të prokurorit në regjimin komunist.

Të djathtë apo të majtë, entuziastë apo skeptikë më reformën dhe mënyrën si ajo po zbatohet, tashmë mbetet shumë pak vend për të dyshuar se vetting-u është një proces që po zbatohet me dy standarte.

Edhe për ata që nuk janë juristë, vendimet e shpërndara nga “gjykata” e vetting-ut janë në nivel nën mediokër dhe të mbushura me interpretime për pasuri të vëna në vitet kur çdo gjë në Shqipëri ka funksionuar (të paktën financiarisht) në informalitet. Por ndërsa një juristi me super eksperiencë dhe avokat i njohur si Artan Zeneli i kërkohen fatura tatimore për periudhën kur pjesa më e madhe e veprimeve kryheshin në mënyrë informale, për një tjetër gjykatës si Zaganjori “mbyllet njëri sy” për qindra metrat katrorë që ia paskan dhuruar apo për Dvoranin “falet” mospërputhja në deklarimet e ILDKP.

Më e vështirë bëhet besueshmëria e këtij procesi rivlerësimi kur politika “fut hundët” në atë që pretendohet të jetë procesi i pastrimit të sistemit të drejtësisë.

Se ç’punë ka Edi Rama me vetting-un këtë mund ta shpjegojë vetëm ndonjë mendjeprishur që e këshillon në këto ditë të errëta, ku Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë kanë pushuar së ekzistuari dhe kur me ligje të posaçme kreu i qeverisë po grabit atë cfarë ka mbetur pa dhënë me PPP. Por siç duket në pasiguritë e fundit për të ekzekutuar një vendim që ka ngjallur reagim të gjerë qytetar, Edi Rama përpiqet që me populizmat e tij tashmë të vjetëruar, duke shfrytëzuar pakënaqësitë e qytetarëve për mënyrën si ka funksionuar sistemi i drejtësisë, por dhe dëshirën perverse të shumë të tjerëve për të linçuar prokurorë apo gjykatës që sido të ndodhë, kanë dënuar dhe kriminelë apo banda, të justifikojë aktet antiligjore që nuk ka gjykatës t’i justifikojë.

Ndoshta vetëm ata që me kujdesin e tij të veçantë mbetën pjesë e sistemit dhe që po përgatitën të ulen në karriget e Gjykatës Kushtetuese mund të paguajnë me përunjësinë që i kanë shërbyer çdo qeverie edhe padronit të radhës, që i shpëtoi nga Vetting-u.

Edi Rama mund të jetë i vetmi kryeministër në botën e qytetëruar që gëzon për mungesën e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, që brohoret sa herë një prokuror apo gjykatës i lartë ikën nga sistemi thua se këta nuk janë pjellë e qeverisjes së PS-së apo presidentëve që kanë flirtuar me të, edhe gjatë opozitës së saj.

Ai që sot entuziazmohet pse një gjykatës i lartë penalizohet se ka nip dikë që ka poseduar disa gram hashash, jo më larg se dy vjet më parë kishte në grupin parlamentar më shumë se 10 kriminelë të mirëfilltë, jo përdorues por trafikantë nartkotikësh dhe qëniesh njerëzore. Ka ende mbi kurriz një ministër të Brendshëm që ka vëllanë të dënuar dhe të dyshuar për trafiqe aktuale të lëndëve narkotike. Për të mos folur për një ish ministër që po falë Edi Ramës e ka shndërruar qëndrimin jashtë burgut si mënyrën për të komunikuar me kodet e mafias me ish shefin e tij.

Këto dhe të tjera janë arsyet pse sot kryeminstri e shfaq zellin e tepërt për reformën në formën më diletante të mundshme, duke shmangur përgjegjësitë e veta personale pse kriminelët e parlamentit dhe ata jashtë tij, mbeten ende të fuqishëm në vendimmarrjen qeveritare apo në bizneset që kontrollojnë financat e vendit.

Asnjë diplomat në largim e sipër nuk i justifikon dot më veprimet arbitrare të Edi Ramës me pronën publike apo ngërçet e shkaktuara nga reforma. As akronimet e vështira për t’u kuptuar nga publiku, as KPK apo KLGJ jashtë funksionimit apo dhe ftesat e pavlera për opozitën nuk e shpëtojnë dot kryeministrin nga kriza e paralajmëruar e reformës selektive në drejtësi,apo abuzimet me fondet dhe pronën publike.

Asnjë ish prokuror i komunizmit me metodat e sigurimit të shtetit, qoftë ministër apo gjykatës nuk do mund ta shmangë rënien në humnerën e thellë të krizës që shumë shpejt do të derivojë nga Vettingu tek mekanizmat që ja errësojnë vlerën e vërtetë. Dhe që me gushtin, duket se do të kalojnë javët e fundit të një lavdie, flamurin e së cilës e valëvit me të madhe kryeministri ynë, miku i Elvis Ervin Roshit dhe shokëve të tij.