Me qeveri të re, papritmas, Italia nuk është në gjendje të bëjë ekspertizën e audio-përgjimit

Nga Karl Kuçi
Me qeveri të re, papritmas, Italia nuk është në gjendje të bëjë ekspertizën e audio-përgjimit

Regjistrimi i shumëdebatuar, i bërë publik nga Partia Demokratike, i dialogut mes Babales, narkotrafikantit të papunë, dhe Agron (Geron) Xhafajt, vëllait ish-trafikant të Ministrit të Brendshëm, që do të kishte provuar se vëllai i ministrit ishte ende aktiv në trafikun e drogës, nuk do të analizohet nga laboratorët e Policisë Italiane, ose të paktën jo pa kaluar disa muaj.

Çështja ka për çmim politik kokën e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, dhe hipotetikisht fatin e të gjithë qeverisë Rama, sepse vertetimi se Ministri Xhafaj—i thirrur për të zëvendësuar ish-ministrin Tahiri të përfshirë në trafikun e drogës së bashku me kushërinjtë— kishte një vëlla, jo vetëm të arratisur nga drejtësia italiane, por ende aktiv në trafikun e drogës, do ta bënte të paqëndrueshme situatën politike.

Duhet kujtuar se ekspertiza nga laboratorët italianë u kërkua nga prokuroria, pasi Kryeministri Rama kishte konfirmuar se kishte kryer një ekspertizë në një laborator të huaj, të paspecifikuar asnjëherë, i cili brenda 24 orëve kishte çertifikuar se audio regjistrimi ishte i rremë.

Më pas, ishte Shqiptarja.com që pohoi se kishte dalë një i penduar—i pakërkuar nga asnjë organ i drejtësisë—i cili kishte deklaruar se kishte luajtur pjesën e Agron Xhafajt në regjistrimin audio, por ky lajm nuk pati jehonë, ndoshta për shkakun se 24 orë më parë kishte qenë Lulzim Basha që kishte dekonspiruar një përpjekje të tillë me dëshmitar të vetëofruar për të përgënjeshtruar lajmin kryesor se Agron Xhafaj vazhdonte të ishte narkotrafikant aktiv.

Për t’i dhënë besueshmëri një hetimi të nisur keq—kujtoni se prokuroria hetoi denoncuesin më përpara se të hetonte kriminelin e denoncuar—Prokuroria e dërgoi regjistrimin me letër-porosi në Itali, por edhe pas tre javësh nuk ka marrë përgjigje zyrtare.

Ndërkohë, Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Alberto Cutillo, lëshoi një seri deklaratash të paqarta, por dukshëm në anën që favorizonte të Tahirin dhe qeverinë Rama, pikërisht në ditët kur në Itali po krijohej qeveria e re. Këto deklarata, mesa duket të pabashkërenduara me pushtetin e ri politik në Romë, ndezën shumë reagime, si në Shqipëri ashtu edhe në Itali.

Kurse sot, mësohet nga burime shqiptare se një konflikt kompetencash ndërmjet dy ministrive italiane—asaj të Drejtësisë që pret letër-porosinë dhe asaj të Brendëshme që ka laboratorët—mund të zgjasë në kohë procedurat për kryerjen e ekspertizës.

Shpjegimi i dhënë nga Shqiptarja.com mbi kufijtë e kompetencave ndërmjet dy ministrive italiane, në dukje i besueshëm nisur nga disa raste të mëparshme, duket si një përpjekje për të fshehur një fakt të qarë—sot, në ndryshim nga dje, në Itali ka një qeveri të re, me një Ministër të Brendshëm të ri dhe të fuqishëm politikisht dhe një Ministër Drejtësie të ri—emërime të dy partive deri më tani të pa përfshira në operacionet e mëparshme të mbulimit politik italian për provat kriminale të qeverisë shqiptare—dhe, ndoshta, gadishmëria e mëparshme për bashkëpunim të paligjshëm me qeverinë Rama e disa institucioneve italiane është zvogëluar ndjeshëm.

Cilido qoftë rezultati i vërtetë i ekspertizës, qeveria e re italiane nuk duket se ka për qëllim të mbrojë, me shpatë në dorë dhe si qëndrim tē paracaktuar, njësoj si paradhësit e saj, ministrat shqiptarë të përfshirë në narkotrafik.

Tani mbetet të shohim nëse ndonjë ambasador në Tiranë do të vetëofrojë laboratorin e policisë së vendit të tij për të zgjidhur problemet e “rilindjes”.

Lajme te ngjashme