Mungesa e sigurisë në plazhe, mbyten dy të rinj

Pavarësisht reklamës qeveritare për përmirësimin e kushteve në bregdetin shqiptar, situata në bregdet vazhdon të jetë e njëjtë: çdo vit, pushues humbin jetën si pasojë e mungesës së kullave të vrojtimit dhe vendosja e rojeve bregdetare.

Gjatë kësaj fundjave, dy të rinj humbën jetën:

 – Një djalë 18 vjeç nga Tirana u mbyt në plazhin e Gjirit të Lalzit, një prej plazheve më të frekuentuara gjatë sezonit.

 – Një 29 vjeçar u mbyt në plazhin e Velipojës, teksa tentoi për të shpëtuar nga mbytja të fejuarën e tij.

Veprimi i të riut për të shkuar në ndihmë të së fejuarës nuk do të kishte qenë i nevojshëm nëse plazhi do të kishte roje bregdetare ashtu siç e kërkon dhe ligji.

Bazuar në vendimin e Këshillit të Ministrave, një kullë vrojtimi duhet të jetë e pranishme për çdo pesë plazhe private. Por deri më tani, kur sezoni turistik është në kulmin e tij, plazhet e vendit, nuk ofrojnë asnjë siguri për pushuesit.