Përfshirja e dyshimtë e Samir Manes në blerjen e Feronikelit në Kosovë

Samir Mane i cili është njëri nga njerëzit më me ndikim në Shqipëri dhe njihet si një nga biznesmenët më të mëdhenj në Shqipëri dhe rajon është emëruar, drejtor i kompanisë britanike, “NKL Limited”, kompani kjo e cila zyrtarisht ka blerë Ndërmarrjen Shoqërore, “Feronikel” në Kosovë.

Kompania “NKL Limited”, e cila figuron si blerësi kryesor i Feronikel-it, është kompani me një jetë shumë të shkurtër. Sipas disa dokumenteve zyrtare të cilat i posedon Gazeta Insajderi, “NKL Limited” është themeluar më 10 mars të këtij viti, [2018] me bazë në kryeqytetin britanik, Londër. Aktualisht në krye të saj ekzistojnë tre drejtorë aktivë pa asnjë sekretarë.

Mane, i cili është një nga biznesmenët më të mëdhenj në Shqipëri dhe pronarë i një numri të madh të bizneseve në Shqipëri, në Austri, Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi, Itali, Dubai, ShBA dhe Greqi, u emërua më 18 korrik 2018, drejtor në “NKL Limited”, ku ndikimi i tij pritet të zgjerohet edhe më shumë në shtetin e Kosovës.

Mane pritet që të marr në timonin e menaxhimit të Ndërmarrjes Shoqërore, “Feronikel”, së bashku me dy pronarët e tjerë të kësaj kompanie.

Mirëpo nuk është vetëm kjo. Dy pronarët e kompanisë “NKL Limited”, Joyce Angelina Young dhe Jacques Claude Michel Nassieu Maupas, kanë qenë Anëtar Bordi të kompanisë “Cunico Resources”, kompani kjo e cila e falimentoi “Feronikelin”.

Dokumentet e siguruara nga Gazeta Insajderi tregojnë që transaksioni i shitjes së “Cunico Resources”, dyshohet se është manipulativ.

Në kompaninë blerëse, “NKL Limited”, janë dy njerëz të cilët kanë qenë në Bordin Udhëheqës të “Cunico Resources” që e ka pasur deri tani në pronësi “Feronikelin”. Kjo i bie që “Cunices Resources”, në mënyrë manipulative ia ka shitur vetes “Ferronikelin” për t’i ikur borxheve që ka krijuar duke e pasur në pronësi deri tani.

Kompania “Cunico Resource”, e cila në tetor të vitit 2007 mori nën menaxhim gjigantin metalurgjik “Feronikel” në Kosovë dyshohet për një skemë mashtrimi që kishte bërë në Maqedoni, duke dëmtuar “Feni Industries” në vlerë prej mbi 50 milionë dollarë.

Kompania “NKL Limited”, sipas Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (AKK), bleu “Feronikelin” tre muaj pas themelit të saj, më 22 qershor 2018, ndërsa tre muaj pasi “Feronikel” është shitur zyrtarisht, oligarku Samir Mane u emërua drejtor në këtë kompani.

“Përqendrimi përmes përfitimit 100% të kontrollit nga “NKL Limited”, në cilësinë e blerësit mbi “NeëCo Ferronikeli Complex LLC-Cunico”, në cilësinë e shitësit. II. Parashtruesi i Njoftimit për Përqendrim obligohet të paguaj taksën administrative për Autorizimin lidhur me Realizimin e Përqendrimit në përputhje me Nenin 20 të Ligjit Për Mbrojtjen e Konkurrencës, dhe neni 20 të Udhëzimi Administrativ Nr.06/2012, bëhet kundrejt pagesës në vlerë prej 3,000.00 € me shkronja ( tre mijë euro )”, thuhet në vendimin e AKK.

Gazeta Insajderi, gjatë vitit 2017 kishte raportuar për këtë mashtrim milionë dollarësh të drejtorit të kësaj kompanie, Yusuf Mirakhmedov.

Mirakhmedov dyshohej se ishte fshehur në Uzebekistan pasi që shteti maqedonas ishte në kërkim të tij, ndërsa shteti i Kosovës nuk jepte asnjë përgjigje për situatën që ishte në “Feronikel” dhe pasojat qe mund të ketë shkaktuar i arratisuri Mirakhmedov në gjigantin metalurgjik në Kosovë.

Drejtoria e Policisë Financiare kishte ngritur kallëzim penal kundër Mirakhmedov në Prokurorinë Publike të Veles. Dyshohej se ish-drejtori i “Feni Industries” kishte kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar.

“Feni Industries” në Kavadar dhe “Cunico Marketing” në Dubai kishin pasur raporte afariste për një periudhë trevjeçare. Kompania nga Dubai blinte xehet e kompanisë maqedonase.

Borxhi i kompanisë nga Dubai kishte arritur vlerën e mbi 51 milionë dollarëve. Në skenë ishte shfaqur Mirakhmedov. Kishte marrë vendim që të shlyejë borxhin e kompanisë nga Dubai. Veprimi i tij dëmtoi gjigantin metalurgjik maqedonas.

“Në tetor të vitit 2016,Yusuf Mirakhmedov kishte vendosur për shlyerjen e kërkesave në shumën prej 51,505,526 USD, bazuar në shitjen e nikelit, personit juridik “Cunico Marketing” nga Emiratet e Bashkuara Arabe – Dubai”, ka thënë për Insajderin, Arafat Muaremi, drejtor i Policisë Financiare në Maqedoni.


Ky artikull u publikua më parë tek Insajderi.com.