Nga Marash Logu
Ligji për teatrin është dhunim i MSA-së, por Delegacioni i BE-së duket i painteresuar

Pak ditë më parë Këshilli Europian vendosi moshapjen e negociatave me Shqipërinë. Një nga arsyet ishte lufta e pamjaftueshme ndaj korrupsionit, ndërkohë që në rekomandimet e tij për hapjen e negociatave në të ardhmen ishte forcimi i konkurrencës së lirë.

Në mënyrë ironike, por domethënëse, të nesërmen e vendimit refuzues të Këshillit Europian, Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin për Teatrin Kombëtar, i cili i jepte një kompanie private, Fusha shpk, të drejtën e zhvillimit të një zone në Tiranë dhe ndërtimit të godinës së re të Teatrit Kombëtar, pa asnjë procedurë ligjore dhe institucionale dhe pa garë.

Përtej elementëve të qartë korruptiv dhe dëmit të mëtejshëm që veprime të tillë i bëjnë plotësimit të kushtit të luftës kundër korrupsionit, ky projektligj bie ndesh direkt me detyrimet që ka Shqipëria në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), që përbën kuadrin rregullues ndërmjet vendit tonë dhe BE-së.

Nenet 71 dhe 74 të MSA-së parashikojnë dy parime themelore për lidhjen e kontratave publike nga qeveria shqiptare, pikërisht konkurrencën e lirë dhe mos-diskriminimin. Këto parime janë, gjithashtu, të konfirmuara gjërësisht nga jurisprudenca e Gjykatës Europiane të Drejtësisë, ndër të tjera, përmes vendimit C-324/98 “Telaustria Verlags GmbH and Telefonadress GmbH v. Telekom Austria AG” të 7 dhjetorit 2000.

Projektligji për prishjen e godinës aktuale dhe ndërtimin e një godine të re për Teatrin Kombëtar përcakton në mënyrë eksplicite, në nenet 6 dhe 8 të tij, kompaninë private me të cilën do të negociohet dhe lidhet kontrata për ndërtimin e teatrit të ri. Kjo kompani, është përzgjedhur në mënyrë arbitrare, pa asnjë proces që u ka dhënë mundësi të marrin pjesë apo të konkurrojnë për këtë shërbim kompanive të tjera.

Kjo praktikë është në shkelje të neneve 71 dhe 74 të MSA-së, sepse përzgjedhja pa asnjë transparencë, madje pa asnjë proces ligjor dhe administrativ, i një kompanie të vetme për lidhjen e kontratës dhunon parimet e konkurrencës së lirë dhe mos-diskriminimit.

Jo më kot, relacionit të projektligjit i mungon një element i rëndësishëm që duhet të shoqërojë të gjitha projekt-ligjet që i propozohen Kuvendit, analizën e përputhshmërisë së tij me detyrimet e vendit në kuadër të procesit të integrimit Europian.

Duke shtuar faktin se projektligji është antikushtetues dhe në shkelje të hapur të një sërë ligjesh, ai shkel mbi parime të tjera që Shqipëria është e detyruar të respektojë në kuadër të integrimit, në mënyrë të veçantë parimin e decentralizmit dhe autonomisë të pushtetit vendor.

Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit është ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë me ligjin Nr. 9590, datë 27.07.2006, dhe përbën një marrëveshje ndërkombëtare në kuptim të nenit 116 të Kushtetutës së Shqipërisë, e cila parashikon në nenin 122 se “një marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar me ligj ka epërsi mbi ligjet e vendit që nuk pajtohen me të”. Kjo do të thotë se në rastet kur kemi një mosmarrëveshje ndërmjet një ligji dhe marrëveshjes ndërkombëtare, kjo e fundit ka përparësi dhe është e detyrueshme për zbatim.

Duhet të ishte Gjykata Kushtetuese që duhet ta shqyrtonte pikërisht antikushtueshmërinë dhe mospërputhjen e ligjit me marrëveshjet ndërkombëtare, por Gjykata Kushtetuese nuk ekziston prej disa muajsh dhe nuk ka gjasa që të kthehet në funksionim të paktën deri në fund të vitit.

Në këto kushte mund të pritej një reagim nga Komision Europian dhe nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri, të cilët janë përgjegjës për mbikqyrjen e respektimit nga Shqipëria të marrëveshjes së saj me BE-në. Por deri tani Ambasadorja e BE-së në Tiranë Romana Vlahutin ka qenë e painteresuar për çështje të tilla.

Prandaj Kuvendi i Shqipërisë do të kalojë i patrazuar këtë projektligj që është shkelje flagrante e Kushtetutës së vendit, e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe parimeve themelore mbi të cilat ngrihet Bashkimi Europian. Përsa kohë praktika të tilla dhunojnë vlerat e demokracive europiane, Shqipëria do të vazhdojë “skicimin e rrugës europiane”, por asnjëherë hapje reale të negociatave apo anëtarësim.