Qeveria Rama gati t’i japë Kastratit koncesionin e aeroportit të Kukësit

Qeveria Rama  ka favorizuar me një bonus prej 8 për qindësh të pikëve për bashkimin e kompanive “Kastrati” dhe “T.M.D Systems LTD” për koncesionin e aeroportit të Kukësit. Kjo metodë e favorizimit të një kompanie është kthyer në mënyrën e preferuar të Qeverisë Rama për të shmnagur procedurat e rregullta të tenderimit public ku kompanitë konkurrojnë si të barabarta.

Gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Ministrave më 11 korrik, qeveria miratoi bonusin pasi mori një “propozim të pakërkuar” nga bashkimi i kompanive për të rehabilituar dhe vënë në punë aeroportin. Kjo do të thotë se konsorciumi do të fitojë koncesionin pikërisht për këtë projekt.

Aeroporti, i cili zyrtarisht quhet Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit Shaikh Zayed u financua personalisht nga Shaikh Zayed bin Sultan Al Nahyan, një nga themeluesit e Emirateve të Bashkuara Arabe. Aeroporti u përfundua në vitin 2006, por vazhdoi të mos funksiononte për shkak të kontratës së qeverisë me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, i cili ka monopolin e fluturimeve që prej vitit 2004.

Në 2016, qeveria shqiptare rinegocioi monopolin e TIA-s nën kushte të paqarta dhe në mungesë transparence ndaj qytetarëve.

Në prill 2018, Kryeministri Edi Rama premtoi se aeroporti i Kukësit do të jetë funksional në vjeshtën e vitit 2018. Pak kohë më vonë nga kjo deklaratë, “Kastrati” dha “propozimin e pakërkuar”.

“Kastrati” është edhe koncesionari i autostradës që lidh aeroportin e Kukësit me Kosovën dhe pjesën tjetër të Shqipërisë, Rrugën e Kombit. Kompania, në pronësinë e një  prej oligarkëve më të pasur të Shqipërisë, gjithashtu së fundi është pjesë dhe e kullës ‘DownTown Albania’, që po ndërtohet në Tiranë përballë Xhamisë së Namazgjasë, projektuar nga firma holandeze e arkitekturës MVRDV.

“T.M.D Systems LTD” është një kompani me bazë në Izrael që ofron konsulencë në fushën e aviacionit.