Qytetarë e artistë vazhdojnë betejën në mbrojtje të Teatrit dhe pronës publike

Gjatë ditës së djeshme, qindra qytetarë së bashku me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit marshuan në mënyrë paqësore drejt Kryeministrisë dhe Presidencës për të kërkuar mos-dekretimin e ligjit mbi Teatrin.

Artistët dhe qytetarët i kërkuan Presidentit të marrë përsipër përgjegjësitë e tij, sidomos në një moment tejet delikat kur Gjykata Kushtetuese është e bllokuar. Ata i rikujtuan institucionit të Presidencës së në këto momentet mbetet një nga hallkat e vetme ku pushteti i Qeverisë mund të kontrollohet e limitohet, ashtu siç duhet ndodhë në një demokraci.

Me anë të një deklarate për shtyp, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit rikonfirmon sërish qëndrimin e saj në lidhje me hapat e ndërmarra nga Qeveria deri tani.

Sipas Aleancës:

1) Qeveria duhet të hedhë poshtë përpjekjet për të miratuar ligjin e veçantë mbi Teatrin.

a. Ai është një ligj absurd, anti-kushtetues, që shkel parimet e barazisë dhe ndarjen e pushteteve, dhe ka si synim grabitjen e truallit publik për interesa private. Nuk mund të ketë asnjë negociatë për dhe mbi atë projektligj. Kjo kërkesë ka qenë e qartë, konsistente dhe e panegociueshme;
b. Propozime alternative, si ato mbi një konkurs ndërkombëtar apo prani artistësh në grupin e negocimit të ngritur nga ky ligj, janë personale dhe aspak të mbështetur nga Aleanca;
c. Këto negociata për më tepër nuk mund të zhvillohen me Kryetarin eBashkisë, i cili nuk është as autoriteti propozues i ligjit, por vetëm me përfaqësuesit e Qeverisë.

2) Sheshi i protestës ka qenë dhe mbetet një forum i hapur për të tërë. Është kënaqësi e madhe që personat prezent kanë bindje nga më të ndryshmet politike e ideologjike, por janë mbledhur përreth një kauze më të madhe. Është bindja jonë që kjo frymë dialogu, demokracie, dhe lirie do mbetet një nga trashëgimitë më të mëdha shoqërore të kësaj lëvizje.

3) Aleanca mbetet e bindur, bazuar mbi dokumente dhe raporte të shumta teknike, që godina aktuale mund të restaurohet dhe te mbetet trashëgimi eqytetit. Opsionet e mundshme në lidhje me një godinë të re janë të shumta dhe do dalin në pah vetëm kur procesi të futet në rruge ligjore.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit do vazhdojë protestën e saj të vazhdueshme çdo ditë në sheshin eTeatrit në orën 19:00.