Regjisori Robert Budina i përgjigjet mediave: Unë nuk jam dënuar, përgënjeshtroni lajmin Robert Budina

Regjisori Robert Budina, që prej dy ditësh po sulmohet nga mediat proqeveritare, sqaroi sot se akuzat ndaj tij për vjedhje fondesh nuk janë të vërteta dhe njoftoi se do të padisë të gjithë mediat që nuk bëjnë përgënjeshtrim të tij.

Prej dy ditësh, një tekst i njëjtë ka qarkulluar në të gjithë gazetat e portalet afër qeverisë, që tregon se si Robert Budina dhe Kastriot Çipi, të dy mbrojtës së godinës së Teatrit, janë shpallur fajtorë nga Gjykata e Rrethit Tiranë për akuzën e vjedhjes së fondeve të filmave.

Me anë të një statusi në Facebook, Zoti Budina sqaron:

“Më datë 10.07.2018 është publikuar në disa media online dhe televizione një lajm i rremë ndaj personit tim si i dënuar nga gjykata e rrethit Tiranë i cili ka marrë vendimin e formës së prerë nga gjykata e apelit për shpërdorim dhe vjedhje të fondeve publike.

Në përgjegjësi të plotë civile dhe juridike deklaroj:

Unë Robert Budina, nuk jam paditur kurrë nga asnjë lloj institucioni i republikës së shqipërisë, e aq më pak dënuar kurrë nga asnjë lloj gjykate.

Kërkoj nga mediat që e kanë publikuar lajmin e rremë, përgënjeshtrimin e tij brënda 24 orëve, në emër të dinjitetit dhe punës shumë vjeçare që kam mbi supe.

Akuza e trumbetuar ndaj meje, bëhet në këtë moment specifik të aktivitetit dhe angazhimit tim shoqëror që përkon me betejën e vështirë për mbrojtjen e godinës së Teatrit Kombëtar dhe pronës publike, nga vjedhja me ligj që po i bëhet asaj nga pushteti i diktaturës së sotme që po instalohet në Shqipëri.

Ky veprim i dëshpëruar i fabrikuar nga pushteti dhe mediave pranë tij, më bindin plotësisht që beteja që kemi nisur për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar dhe pronës publike duhet çuar deri në fund, në emër të qytetarisë, dinjitetit dhe padrejtësive që i bëhen qytetarëve të këtij vendi.”

Kujtojmë se sot në orën 18:30, qytetarë e artistë do të marshojnë në mënyrë paqësore nesër për të kërkuar tërheqjen nga ligji dhe mbrojtjen e godinës së teatrit. Marshimi do të nisë tek sheshi i Teatrit, për të marshuar më pas drejt Kryeministrisë dhe Presidencës.