Shumica socialiste dështon sërish të miratojë ligjin e magjistratëve të rinj

Shumica socialiste dështon sërish të miratojë ligjin e magjistratëve të rinj

Shumica socialiste nuk ka mundur as sot të miratojë ndryshimet në ligjin për magjistratët e rinj që i jep të drejtën Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm, të emërojnë gjyqtarët e prokurorët e rinj të dalë nga Shkolla e Magjistraturës.

Deputetët e opozitës braktisën sallën e kuvendit duke penguar kështu miratimin e ndryshimeve, për herë të dytë.  Që këto ndryshime të miratohen duhen të paktën 84 vota, por shumica socialiste së bashku me aleatët e saj nuk mund të mbledhin më shumë se 78 vota, ndaj votat nga disa deputetë të opozitës janë të nevojshme.

Opozita u largua nga salla në shenjë proteste për votimin e parregullt të ligjit të Teatrit Kombëtar më 5 korrik. Kreu i grupit parlamentar të PD-së Edmond Spaho kërkoi të ripërsëritet votimi për ligjin e teatrit kombëtar:

“Kërkoj të rivotohet ligji për Teatrin pasi votimi ka qenë i parregullt dhe për shkak se ju nuk lejoni të korrigjohet ky veprim i gabuar nga ana e Kuvendit në shenjë proteste ne do të largohemi nga kjo seancë pasi nuk mund të qëndrojmë në një Kuvend ku vidhet vota.”

Menjëherë pas largimi të deputetëve nga salla, kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla tha se ligji për magjistratët do të kalojë për votim ditën e hënë dhe i kujtoi opozitës se “reforma në drejtësi duhet të ecë përpara”:

“Shpresoj që opozita ditën e hënë të ketë reflektuar mbi këtë kërkesë dhe detyrimin që ka Kuvendi në kuadër të vijimit të implementimit të reformës në drejtësi të vijojmë ta kemi çështje të hapur për diskutime ku mirëpresim dhe diskutimet e opozitës.”

Megjithëse deputetët e opzoitës braktisën sot kuvendin në shenjë proteste për ligjin e Teatrit Kombëtar, më herët ata janë shprehur dhe kundër ndryshimeve në ligjin e magjistratëve.

Ndryshimet e propozuara nga PS, i japin të drejtën Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm, të emërojnë gjyqtarët e prokurorët e rinj të dalë nga Shkolla e Magjistraturës.

Me ndryshimet e bëra nga reforma në drejtësi, kjo e drejtë është vetëm e KLGJ-së dhe KLP-së, institucione të paformuara akoma si pasojë e vonesave të shumta të procesit të vetingut.

Sipas PD-së dhe LSI-së, miratimi i këtij projekligji do të thotë de facto kapje e sistemit të drejtësisë nga qeveria socialiste, e cila ka emëruar Prokuroren Arta Marku dhe anëtarët e KLD-së, mes të cilëve është dhe Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj.

Lajme te ngjashme