Të huajve u ka humbur filmi i reformës në drejtësi

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Të huajve u ka humbur filmi i reformës në drejtësi

Ndërsa ideja se reforma e drejtësisë ishte një dështim i plotë ngadalë po zë vend në mediat shqiptare, diplomatëve të huaj në Tiranë, që e mbështetën fort këtë projekt të destinuar për të dështuar, po u mbarojnë moralizimet e konsumuara në mbrojtje të veprimeve të tyre dhe të qeverisë Rama. Por kjo gjendje ka ardhur në momentin e duhur–sepse përgjegjësit kryesorë të kësaj situate po largohen nga skena politike shqiptare. Ambasadori i SHBA Donald Lu është gati për të shkuar në Kirgistan, ndërsa ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin me gjasa (dhe shpresë) nuk do të shfaqet më kurrë në qarqet diplomatike të BE.

Gjatë kësaj periudhe të ndërmjetme, misionet diplomatike në Tiranë po përpiqen me forcë të ruajnë fytyrën, ndërsa kuadri ligjor i reformës në drejtësi po fillon të prodhojë, gjithnjë e më qartë, rezultate monstruoze.

Një shembull i fundit i këtyre rezultateve të padëshirueshme, që rrjedhin nga ligjet e miratuara nën duartrokitjet entuziaste të bashkësisë ndërkombëtare, është që Shkolla e Magjistraturës (SHM) nuk do të jetë në gjendje të rekrutojë studentë të rinj (dhe për këtë arsye gjyqtarë dhe prokurorë të ardhshëm) për vitin shkollor 2018-2019, ndërkohë që ata që u diplomuan këtë vit nuk do të mund të pozicionohen brenda sistemit gjyqësor. Drejtori i shkollës Sokol Sadushi deklaroi në një intervistë të kohëve të fundit se “nuk është bllokuar Shkolla, por sistemi i drejtësisë”.

Exit.al e solli këtë problem në vëmendjen e publikut që në muajin prill dhe duket se edhe vetë BE ishte e vetëdijshme për këtë çështje të paktën që në muajin mars të këtij viti. Në një memo të brendshme, Delegacioni i BE-së sugjeronte si një masë të mundshme “rishikimin e Ligjit [që] parashtron dispozitat që lejojnë fillimin e trajnimit fillestar” të atyre që aplikojnë për Shkollën e Magjistraturës, nga të cilët në shkollë regjistrohen ata që dalin më mirë në provimin pas trajnimit fillestar. Megjithatë, memoja thekson se pavarësisht nga  rëndësia e kësaj çështjeje “është e diskutueshme nëse mund të arrihet një konsensus politik dhe cili do të ishte ‘çmimi’ që duhet të paguhej për të”. (Vini re se fjala “çmim” e përdorur në memo nënkupton vlerësim negativ për politikën parlamentare shqiptare).

Këtë javë u zbulua ‘çmimi’ që kërkon opozita në shkëmbim të miratimit të një amendimi special të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” i cili përcakton kuotën e pranimeve të reja të Shkollës së Magjistraturës dhe lejon që gjyqtarët dhe prokurorët e rinj të emërohen nga Këshilli i Lartë i Dejtësisë dhe Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, duke anashkaluar Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ), të cilët nuk janë formuar ende për shkak të procesit të ngadaltë të vetingut.

Në pak fjalë, kërkesa e opozitës është tërheqja e të gjithë ligjeve të paketës së reformës në drejtësi të cilat u miratuan në mënyrë të njëanshme vetëm nga shumica socialiste dhe zhbërjen e lëvizjeve të njëanshme në sistemin e drejtësisë të qeverisë Rama, mbështetur nga ndërkombëtarët, të tilla si emërimi jokushtetues i Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme.

Qëndrimi i opozitës është i fortë për aq kohë sa ajo qëndron e bashkuar në këtë pikë, sepse qeverisë Rama i duhen 84 vota, të cilat nuk i ka, për të miratuar amendamentin për magjistratët e rinj. Pa prokurorë dhe gjyqtarë të sapoformuar për të mbushur boshllëqet e mbetura nga vetingu, sistemi i drejtësisë bie.

Një detaj ligjor në dukje i parëndësishëm—aq sa madje edhe komisioneri Johannes Hahn e pranoi me ironi se “ai duhet ta kishte ditur“—duket se tani do të përcaktojë fatin e të gjithë reformës në drejtësi.

I ngarkuari me punë i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë David Muniz fajësoi dje të dyja palët duke deklaruar se mosmiratimi i amendimeve të qeverisë në Ligjin për Statusin, të cilin qeveria refuzoi ta ndryshonte për të qetësuar opozitën, është “dështim i të gjitha partive në parlament”. Deklarata e Zotit Muniz për Zërin e Amerikës tregon se sa thellë kanë hedhur rrënjë budallallëqet në mendjet e diplomatëve në Tiranë:

“[kemi të bëjmë me] një amendim të thjeshtë të Ligjit për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve për të përmbushur një kërkesë bazë të një sistemi drejtësie funksional, i cili lejon që studentë e rinj të hyjnë në Shkollën e Magjistraturës. […] Me sa duket, politikanët kanë frikë nga sundimi i ligjit dhe prandaj nuk punuan sëbashku për të mbështetur Shkollën e Magjistraturës dhe reformën në drejtësi.”

E vetmja gjë që i mungon këtij pohimi është emotikoni i një fytyre me lot.

Pohimi i Muniz shfaq qartë pikërisht keqkonceptimet e jashtëzakonshme që kanë pushtuar diplomacinë e huaj në Shqipëri.

Keqkonceptimi i parë lexohet në frazën “amendim i thjesht”. Kjo shprehje sugjeron se ne jemi duke u marrë me një gjë të thjeshtë që nuk ka nevojë për shumë tru, thjesht një ndreqje teknike për një problem të vogël, të papritur.

Por në fakt, ky amendim mund të jetë çdo gjë, vetëm jo i thjeshtë, sepse ai përfaqëson një moment kur opozita ka fituar pushtet politik mbi qeverinë Rama, e cila ka shumicën në Kuvend — ka votat e mjaftueshme për të miratuar akte nënligjore dhe për të emëruar prokurorë të përkohshëm, por jo për të miratuar ndryshime në kuadrin ligjor të reformës në drejtësi.

Me fjalë të tjera, Muniz është në gjendje të shohë vetëm dimensionin teknik-burokratik të amendimit, dhe jo vlerën politike që ai ka për një opozitë e cila është mënjanuar tërësisht nga çdo proces politik dhe parlamentar dhe që po lufton për të mbetur në këmbë dhe e rëndësishme.

Është e njejta qasje që i çoi ndërkombëtarët në qendrimin antikushtetues për të zgjidhur ngërçin e mëparshëm teknik—pamundësinë për deklarimin ligjor të mbarimit të mandatit të ish-Prokurorit të Përgjithshëm Llalla dhe emërimin e prokurorit të ri, në dhjetor 2017.

Njësoj si në rastin e Shkollës së Magjistraturës, edhe atëhere ligji përcaktonte KLP-në si institucion përgjegjës—sipas Kushtetutës, KLP duhet të ishte krijuar që në shkurt të vitit 2017.

Atëherë, ndërkombëtarët mbështetën anashkalimin në “mënyrë krijuese” të Kushtetutës, duke e zgjeruar në mënyrë të dyshimtë konceptin e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm. Kjo lloj ndreqjeje antikushtetuese, duket sikur nuk është e mundur këtë herë (por nuk i dihet asnjëherë).

Çështja e dytë në pohimin e Muniz është përshkrimi i tij se amendimi i ligjit thjesht “lejon studentët e rinj të pranohen në Shkollën e Magjistraturës.” Ky lloj pohimi tregon padije rreth tekstit të vërtetë të amendamentit dhe shqetësimit të vërtetë që ngre opozita.

Problemi nuk është numri i kuotave të reja të pranimit në Shkollën e Magjistraturës; është fakti se një pjesë e amendamentit i jepte të drejtën Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të dyja nën kontrollin e qeverisë, të emëronin gjyqtarët dhe prokurorët e rinj, për aq kohë sa nuk janë formuar KLP dhe KLGJ. Nuk ka nevojë të theksohet se ky ndryshim i jep më shumë pushtet dhe një arsye më shumë qeverisë për të mos formuar KLP-në dhe KLGJ-në sa më gjatë që të jetë e mundur.

Çështja e tretë problematike në pohimin e Munizit është thënia se “politikanët janë të frikësuar nga zbatimi i ligjit”. Kjo është një përsëritje bajate e deklaratës së shpeshtë të Ambasadorit Donald Lu se “politikanët janë të frikësuar nga reforma në drejtësi”.

Ata nuk mund të jenë më të gabuar se kaq. Klasa politike shqiptare e “dashuron” reformën në drejtësi. Ajo u ka mundësuar atyre që janë në pushtet të paralizojnë sistemin e drejtësisë, duke hapur rrugën për miratimin e një sërë ligjesh që nuk do të kalojnë nën kontrollin e Gjykatës Kushtetuese duke rrezikuar që ligjet të bëhen fakt i kryer.

Reforma u ka mundësuar atyre, me ndihmën e ndërkombëtarëve, të kapin prokurorinë dhe të varrosin çdo dosje të hapur ndaj politikanëve të PS-së si Saimir Tahiri dhe Vangjush Dako.

Për më tepër, po bëhet gjithnjë e më e qartë se Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve (KPK) po vepron me standarte të dyfishta, të cilat herët a vonë do të bëjnë që të gjitha rastet e vetingut t’i drejtohen Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut —çfarë do të bëjë që vetingu të zvarritet për më shumë se një dekadë.

Pasiguria shkaktuar nga vetingu dhe apelimet e mundshme të tij në Gjykatën e Strasburgut, si dhe mungesa afatgjatë e numrit të nevojshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve për shkak të rebusit të tanishëm ligjor, do të vazhdojë të dëmtojë dhe dobësoj sistemin gjyqësor për vitet e ardhshme. Ky po që është një lajm i mirë për klasën politike shqiptare dhe për oligarkët që e mbështesin atë.

Është fare e thjeshtë: politikanët shqiptarë nuk i frikësohen sundimit të ligjit; ata dashurojnë ta sundojnë ligjin! Politikanët shqiptarë nuk kanë frikë nga reforma në drejtësi; ato dashurojnë ta reformojnë drejtësinë!

Keqkonceptimi më i madh dhe më patetik i diplomatëve të tillë si Muniz është se refoma në drejtësi është një proces teknikë, burokratikë dhe logjik. E kanë krejtësisht gabim.

Reforma në drejtësi është një përpjekje e ethshme për mbijetesë politike (dhe për rrjedhojë ekonomike). Partia që do të qeverisë reformën në drejtësi nga fillimi në fund ka mundësi të mëdha të sundojë vendin për shumë, shumë më gjatë.

1 koment

    Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

    Lajme te ngjashme