Vetingu, gjyqtari i Gjykatës së Lartë Artan Zeneli përballet me KPK-në

Artan Zeneli, anëtari i Gjykatës së Lartë do të përballet sot me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit në kuadër të procesit të vetingut.

Trupa që do të zhvillojë seancën dëgjimore me Zenelin përbëhet nga Etleda Çiftja, Xhensila Pine dhe Valbona Sanxhaktari.

Artan Zeneli është pjesë e listës prioritare të vetingut pasi kandidon për të qenë pjesë e Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Artan Zeneli e ka nisur karrierën në vitin 1991 në Gjykatën e Krujës. Në vitin 1999, zoti Zeneli filloi të ushtronte profesionin e avokatit, ndërsa në vitin 2009 u rikthye sërish në sitemin gjyqësor dhe filloi punë në Gjykatën e Tiranës. Në vitin 2012, Artan Zeneli u emërua gjyqtar në Gjykatën e Lartë.

Sipas analizës së deklaratave të pasurisë bërë nga BIRN, në vitin 2006 kur Artan Zeneli ka bërë për herë të parë deklarimin e pasurisë, familja e gjyqtarit kishte pasuri në vlerën e 49,7 milionë lekëve. Kjo pasuri konsistonte në dy shtëpi private në Tiranë dhe tre apartamente, katër makina, një tokë në Velipojë dhe disa llogari bankare.

Në fund të vitit 2017, pasuria e familjes Zeneli ka arritur në vlerën e 96,7 milionë lekëve, pra është dyfishuar.

Pronat e paluajtëshme të familjes Zeneli kanë një vlerë prej 61 milionë lekësh, ndërsa makinat vlejnë 1,5 milionë lekë.

Familja Zeneli ka 32,6 milionë lekë nëpër llogari bankare dhe 1,4 milionë lekë në gjendje cash.

Rreth 66 për qind e të ardhurave të familjes Zeneli përbëhen nga paga e bashkëshortes, e cila punon në një prej bankave të nivelit të dytë.

Rreth 25 për qind e të ardhurave të familjes Zeneli vjen nga puna e gjyqtarit.

Nga kontrolli aritmetik e logjik bërë nga BIRN, në deklaratat e Artan Zenelit ka disa “flamuj të kuq”.

Për shembull, në deklaratën e vitit 2010, 3 milionë lekë pasuri nuk mund të justifikohen me të ardhurat e çiftit Zeneli.

Po ashtu, në deklaratën “Para Fillimit të Detyrës”, zoti Zeneli deklaronte se kishte paguar 195 mijë euro për një shtëpi në Selitë, Tiranë. Ndërkohë në vitin 2008, bashkëshortja e subjektit deklaron se ka marrë kredi në vlerën e 150 mijë eurove për blerjen e kësaj shtëpie.

Artan Zeneli është anëtari i tretë i Gjykatës së Lartë që nis vetingun. Më herët Edmond Ismalaj u rikonfirmua në detyrë, ndërsa Tom Ndreca pret ende vendimin e KPK-së.