Vetingu, KPK gjen pasaktësi në deklarimin e pasurisë së Xhezair Zaganjorit

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka gjetur pasaktësi në deklarimin e pasurisë së kreut të Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori.

Gjyqtari ka deklaruar se ka në pronësi një apartament në Tiranë të blerë në vitin 2001. Në një deklaratë ka raportuar se shtëpia është blerë për 5,8 milionë lekë, ndërsa në një tjetër se është blerë për 7 milionë lekë. Në përfundim të hetimit administrative nga KPK, rezulton se Zaganjori ka bërë deklarim të pamjaftueshme dhe ka shmangie nga detyrimet për buxhetin e shtetit lidhur me këtë apartament.

Po ashtu për blerjen e një dyqani, Zaganjori ka shkruar se e ka blerë për 1 milionë lekë, ndërsa KPK ka zbuluar se gjyqtari e ka blerë dyqanin për 500 mijë lekë.

Sa i takon DSIK-së, gjyqtari Zaganjori ka marrë vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës.

Vendimi nëse kreu i gjykatës së Lartë do të vazhdojë të jetë pjesë e sistemit të drejtësisë do të merret në ditët në vijim.