Vetingu, KPK shkarkon gjyqtari Thanza që fshehu dënimin në Itali

Vetingu, KPK shkarkon gjyqtari Thanza që fshehu dënimin në Itali Gjyqtari Admir Thanza

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi sot gjyqtarin e Gjykatës së Lartë Admir Thanza, i cili kishte fshehur një dënim të marrë në Itali në të shkuarën.

Admir Thanza ishte dënuar me 40 ditë burg dhe gjobë nga gjykata e Shkallës së Parë në Piza të Italisë, për veprën penale “vjedhje në bashkëpunim”.

Kjo ngjarje ka ndodhur në vitin 1999 kur Thanza ishte gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës, por ky informacion nuk ishte zbuluar nga asnjë institucion shqiptar gjatë këtyre viteve. Kanë qenë përfaqësuesit dhe ekpertët e ONM-së ata që kanë zbuluar dënimin.

Përveç problemeve me pastërtinë e figurës, Thanza kishte probleme dhe në deklarimin e pasurisë. Nga hetimi i KPK-së është zbuluar se ka pasaktësi në dokumentet e të paktën dy prona, një garazh në Tiranë dhe një dupleksi në Gjirin e Lalëzit.

Në deklaratën e pasurisë së disa viteve, familja Thanza ka deklaruar bilanc negative, ndaj sipas KPK-së, nuk mund të justifikohet blerja e pronave të paluajtëshme me burime të ligjshme të ardhurash.

Lidhur me kontrollin e figurës, DSIK e ka konsideruar si të papërshtatshëm për të vazhduar detyrën gjyqtarin Thanza pasi ka kontakte me persona të papërshtatshëm.

Aktualisht edhe prokuroria ka nisur hetimin për gjyqtarin e Gjykatës së Lartë Admir Thanza, i cili akuzohet se ka falsifikuar formularët e vetëdeklarimit për të fshehur dënimin në Itali.

Gjatë karrierës së tij në sistemin e drejtësisë, Thanza ka shqyrtuar çështje si ajo e tragjedisë së Gërdecit dhe të deputetëve Mark Frroku e Tom Doshi.

Lajme te ngjashme