Vetingu, kreu i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori përballet sot me KPK-në

Vetingu, kreu i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori përballet sot me KPK-në Xhezair Zaganjori, Kryetari i Gjykatës së Lartë

Xhezair Zaganjori, Kryetari i Gjykatës së Lartë do të përballet sot me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit në kuadër të procesit të vetingut.

Trupa gjykuese që do të zhvillojë sot seancës me Zotin Zaganjori përbëhet nga Olsi Komici, Roland Ilia dhe Pamela Qirko.

Xhezair Zaganjori, nga viti 2003 deri në vitin 2013, ka qenë anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Në mars 2013, filloi gjyqtar në Gjykatën e Lartë, dhe një muaj më vonë u emërua kyetar i saj.

Zoti Zaganjori ka qenë gjatë gjithë karrierës së tij dhe lektor në Fakultetin e Drejtësisë, Shkollën e Magjistraturës dhe Shkollën e Studimeve Europiane.

Sipas analizës së deklaratave të pasurisë bërë nga BIRN, në vitin 2003 kur Xhezair Zaganjori ka bërë për herë të parë deklarimin e pasurisë, gjyqtari kishte pasuri në vlerën e rreth 14 milionë lekëve. Kjo pasuri konsistonte në një apartament banimi me sipërfaqe 200 metra katrorë dhe 87 metra katrorë ballkone, një bibliotekë 70 metra katrorë, një bodrum dhe zyrë me sipërfaqe totale 90 metra katrorë, si dhe rreth 3.2 milionë lekë kursime.

Në vitin 2017, pasuria e familjes së gjyqtarit ka arritur në vlerën e 58,7 milionë lekëve duke u shumëfishuar me katër herë. Kjo pasuri përbehët nga rreth 17 milionë lekë pasuri të paluajtëshme, 40,8 milionë lekë kursime në bankë dhe 900 mijë lekë kursime cash.

Rreth 60 për qind e të ardhurave të familjes, përbehen nga të ardhurat e zotit Zaganjori nga puna në gjykatë, nga mësimdhënia dhe nga shitja e librave.

Ndërkohë rreth 13 për qind e të ardhurave vijnë nga puna e bashkëshortes si notere.

BIRN ka identifikuar si “flamur të kuq” në dekalarat e pasurisë, një investim të vitit 2008 me vlerë 35 mijë euro dhe 1.2 milionë lekë të bashkëshortëve Zaganjori në kompaninë “2E Construction”. Ky investim përmendet sërish në vitin 2017, kur kreu i Gjykatës së Lartë deklaron se ka marrë mbrapsht nga kompania shumën 1 milionë lekë që kishte paguar për një apartament. Mbetet e paqartë marrëdhënia kontraktuale mes palëve për vlerën e mbetur të 3.2 milionë lekëve.

Lajme te ngjashme