Vetingu për Shkëlzen Selimin, DSIK kërkon shkarkimin: Është i lidhur me krimin e organizuar

Vetingu për Shkëlzen Selimin, DSIK kërkon shkarkimin: Është i lidhur me krimin e organizuar Anëtari i Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi gjatë seancës së vetingut

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) ka dyshime të forta se gjyqtari Selimi është i përfshirë me banda të krimit të organizuar, ndaj kërkon shkarkimin e tij nga detyra. Bazuar në një raport të DSIK-së, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi sot se për gjyqtarin e Gjykatës së Lartë Shkëlzen Selimi ka bërë hetim vetëm për kriterin e pastërtisë së figurës, duke lënë jashtë hetimit pasurinë dhe profesionalizmin.

Gjatë seancës së sotme, e zhvilluar me tensione, relatorja e KPK-së u shpreh:

“DSIK dërgoi një raport me konstatimin se subjekti ka pasakatësi për kontrollin e figurës. Subjekti nuk ka deklaruar kontaktet e papërshtatshme që janë identifikuar. Raporti citon se ka raporte konfidenciale se ka dyshime se është i përfshirë me krimin e organizuar.”

Nga ana e tij, Gjyqtari Selimi kërkoi nisjen e një hetimi ndaj personave që kanë punuar me dosjen e tij pasi ka patur nxjerrje të sekretit hetimor në media. Për këtë arsye ai kërkoi dhe pezullim të seancës deri në përfundim të hetimit:

“Unë kam shprehur konsideratën dhe kënaqësinë për këtë trup gjykues. Por nga disa fakte të ndodhura më vonë më kanë bërë që të mendoja se duhet të bëhet një hetim disiplinor, për KPK pasi kanë dalë të dhëna hetimore kofidenciale, që janë përdorur ndaj meje nga një televizion. Unë dyshojë se këto të dhëna i janë shitur këtij televizioni dhe ka shkuar më tej, ky televizion mund edhe të ketë ndikuar në hetim. Kërkoj të pezullohet seanca dhe do i drejtohem ONM për të kërkuar nisjen e hetimit.”

Këto kërkesa të gjyqtarit nuk janë pranuar nga trupa e KPK-së, ndaj Zoti Selimi braktisi sallën, ndërkohë që seanca po vijon pa praninë e tij.

Lajme te ngjashme