613 kilogramë kokainë, Arbër Çekaj po hetohet dhe në Gjermani Arbër Çekaj

Arbër Çekaj, sipërmarrësi shqiptar nën hetim për 613 kilogramët e kokainës kapur në Durrës, po hetohet dhe në Gjermani.

Prokuroria gjermane ka hapur hetimet për Çekajn pasi ka dyshime se ai ishte përfshirë në aktivitet kriminal dhe në Gjermani. Ky fakt do të vonojë ekstradimin e Çekajt në Shqipëri, pasi kujtojmë se Çekaj u arrestua në maj 2018 në Gjermani, për llogari të drejtësisë shqiptare.

Arbër Çekaj u shpall në kërkim nga institucionet shqiptare në fund të shkurtit, menjëherë sapo në Maminas u kapën 613 kilogramë kokainë brenda një kamioni që transportonte banana. Droga ishte fshehur brenda kontejnerëve me banane që erdhën nga Kolumbia për interes të kompanisë shqiptare Arbri Garden shpk, në pronësi të Arbër Çekaj.

Deri më tani për këtë operacion policia shqiptare ka arrestuar dy persona, shoferin e kamionit Armando Pezaku dhe menaxherin e kompanisë Donald Lushaj, që vazhdojnë të qëndrojnë në praburgim dhe akuzohet për trafik droge.