Erion Veliaj kundër qytetarëve – Si i godet kryebashkiaku ata që e kundërshtojnë?

Kur kanë kaluar 3 vjet tashmë nga dita që Erion Veliaj mori drejtimin e Bashkisë Tiranë, është bërë e zakonit që kryebashkiaku të ofendojë këto që guxon ta kundërshtojë apo të kërkojë të informohet për projektet e bashkisë.

Duke i cilësuar gjithnjë si një “minorancë e vogël që bërtet kot”, Erion Veliaj ka gjetur për çdo rast nga një ofendim për qytetarët.

Në shkurt 2016, kur qytetarët kundërshtuan paligjshëmrinë e ndërtitmit të këndit të lojërave brenda në Parkun e Liqenit, Kryebashkiaku Veliaj i quajti ata ‘vandalë’:

“Sot, një grup i vogël njerëzish, me veprime vandalësh, u përfshinë në dëmtime masive të pronës publike, të pronës së përbashkët të të gjithë qytetarëve të Tiranës, duke sulmuar e prishur objekte për të penguar sërish punimet për Parkun e Lodrave të Fëmijëve. Një minorancë e zhurmshme po i kundërvihet aspiratave të shumicës së qytetarëve që e duan zhvillimin e qytetit.”

Në korrik 2017, kur qytetarët protestonin kundër rritjes së çmimit të ujit, Kryebashkiaku Veliaj i quajti ata ‘qenëri’:

“Unë nuk dorëzohem. Ta di që e gjithë qenëria e Tiranës të më vihet pas, unë për një gjë që është e drejtë dhe që është shpëtim për këtë qytet, unë nuk i ndahem.”

Në gusht 2018, kur artistë e aktivistë po protestojnë kundër ligjit special për Teatrin që shkel Kushtetutën dhe lejon shembjen e godinës së Teatrit, Kryebashkiaku Veliaj i quan ata ‘cirk e bandë kllounësh’:

“Për çdo projekt në Tiranë del një minorancë e zhurmshme. Bërtasin shumë për të të krijuar idenë, por po të fillosh t’i shohësh janë pjesë e një cirku kronik, një cirk shëtitës që vjen nëpër qytet, ish-drejtorë naftë, ish-politikanë të dështuar, ish-aktivistë të shoqërisë civile që edhe pse janë 50-60 vjeç vazhdojnë merren me kalamajtë, pra është një bandë kllounësh që është prezente sa herë vjen cirku në fshat. E meqë cirku erdhi në fshat dhe po zhvillohet tek Teatri, kjo bandë e kllounëve paraqitet menjëherë në gadishmëri të cirkut të radhës.”