Këshilli i Lartë i Prokurorisë drejt formimit

Këshilli i Lartë i Prokurorisë me rikonfirmimi në detyrë të gjykatësit të Prokurorisë së Gjykatës së Apelit Shkodër Dollapaj ka arritur numrin e nevojshëm të kandidatëve për formimin e tij. Sipas ligjit numër 115/2016 “Mbi institucionet e sistemit të drejtësisë”, neni 105 pika 1, KLP përbëhet nga:

1— Tre prej prokurorë të shkallës së parë. Së paku 1 prej tyre të jetë prokuror në një prokurori pranë gjykatës të shkallës së parë jashtë Tiranës;

2— Dy prej të zgjedhurve prokurorë të prokurorive pranë gjykatave të apelit, duke përfshirë edhe Prokurorinë e Posaçme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

3— Së paku 1 prej tyre është prokuror në një prokurori pranë një gjykate apeli jashtë Tiranës;

4— Një prej të zgjedhurve është prokuror pranë Prokurorisë së Përgjithshme.

Deri më tani janë konfirmuar në detyrë katër prokurorë të gjyaktave të shkallës së parë, Dritan Prençi (Kukës, aktualisht Prokuror i Përkohshëm I Krimeve të Rënda), Vate Staka (Shkodër), Arta Marku (Shkodër, aktualisht Prokurore e Përkohshme e Përgjithshme) dhe Antoneta Sevdari (Tirana). Ende në proces vetingu janë Besnik Cani, Bujar Hoti dhe Shpëtim Kurti.

Supozojmë se Besnik Muçi dhe Gentjan Osmani, Prokurorë të Gjykatës së Krimeve të Rënda mund të numërohen si Prokuror të Gjykatës së Apelit, atëherë sëbashku me Dollapaj ato do të zënë dy pozicionet e caktuara për prokurorë pranë Gjykatave të Apelit.

Nga Prokuroria e Përgjithshme dy prokurorë u rikonfirmuan në detyrë, Anita Leka dhe Kostaq Beluri, ndërsa Ramadan Troçi duhet ende të kalojë në veting.

Ende nuk ka asnjë datë për seancën dëgjimore të Cani, Hotit, Kurtit dhe Troçit nga KPK, ndërsa ndonëj apelimi i vendimit të KPK-së nga Komisioneri Publik mund të vonojë më tej procesin.

Dy muaj pas përfundimit të vetingut për të gjithë kandidatët e KLP-së Arta Marku, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, vetë candidate për KLP-në, do të thërrasë një Mbledhje të Përgjithshme të prokurorëve për të zgjedhur anëtarët e KLP-së.

Nëse Arta Marku dështon të mbledh prokurorët, në vend të saj, i lind e drejta një të dhjetës së prokurorëve të kërkojnë organizimin e Mbledhjes së Përgjithshme. Kjo mbledhje është e detyrueshme për të gjithë prokurorët, dhe duhet të arrijë kuorumin prej më shumë se gjysmën e numri të përgjithshëm të prokurorëve. Anëtarët e KLP-së do të zgjidhen në bazë të numrit më të madh të votave.

Gjashtë anëtarët e zgjedhur nga kjo mbledhje do t’i bashkohen pesë anëtarëve të zgjedhur në fillim të vitit nga Kuvendi.

Formimi i KLP-së, i cili tani duket i bëshëm përpara fundit të vitit, do të shënojë një hap më tej në reformën në drejtësi.

Pas formimit të KLP-së, mund të emërohet një Prokuror i ri i Përgjithshëm dhe mund të merren hapat e para për formimin e SPAK, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe BKH, Byroja Kombëtare e Hetimit. Për më shumë KLP mund të zhbllokojë pjesërisht edhe emërimet nga Shkolla e Magjistraturës.