Komisioneri Publik ankimon vendimin e KPK-së për prokuroren që mbylli hetimet për ministrin Gjiknuri

Komisioneri Publik ankimon vendimin e KPK-së për prokuroren që mbylli hetimet për ministrin Gjiknuri

Pas Astrit Faqollit, Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin e KPK-së për konfirmimin në detyrë dhe për prokuroren e Tiranës Antoneta Sevdari.

Antoneta Sevdari u konfirmua në detyrë më 18 korrik dhe kandidon për një post në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Por sipas Komisionerit Publik, vendimi për Zonjës Sevdari është marrë bazuar mbi prova jo të plota dhe hetim të pamjaftueshëm nga ana e KPK-së.

Në njoftimin e Komisionerit Publik shkruhet:

“Në vlerësimin e Komisionerit Publik, në rastin konkret, hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nuk është i plotë. Për rrjedhojë, faktet dhe provat e administruara në përfundim të këtij hetimi administrativ janë të pamjaftueshme për të mbështetur vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit.”

Antoneta Sevdari njihet si prokurorja që në vitin 2015 pushoi hetimet ndaj ministrit Damian Gjiknuri dhe avokates së Shtetit Alma Hiçka, të cilët u akuzuan nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për shpërdorim detyre gjatë zgjidhjes me marrëveshje të konfliktit mes shtetit shqiptar dhe kompanisë CEZ.

Më herët, Komisionerët Publikë kanë ankimuar dhe vendimet e KPK-së për konfirmimin në detyrë të anëtarit të Kushtetutes Bashkim Dedja, gjyqtares Alma Brati, gjyqtarit Edmond Islamaj dhe gjyqtarit Astrit Faqolli.

 

0 komente

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme