Nga Ilmi Rehova
Kryegjykatësi Zaganjori në procedurë të paligjshme për të shpëtuar reformën në drejtësi

Gjykata e Lartë lëshoi më 31 korrik 2018 një thirrje publike për të aplikuar për anëtar të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit (KLGJ), për të plotësuar vendin që ligji i cakton në KLGJ një përfaqësuesi të gjykatave të apelit jashtë Tiranës.

Është një tjetër procedurë e paligjshme për të arnuar dhe, në dukje, për të shpëtuar një reformë të hartuar keq dhe në mënyrë të pamenduar në letër, e cila po dështon pothuajse në çdo hap të zbatimit të saj.

Këshilli i Lartë Gjyqësor duhet të përbëhet nga 11 persona që shërbejnë për një mandat pesë vjeçar. Pesë prej anëtarëve të KLGJ-së zgjidhen nga Kuvendi mes juristëve jashtë sistemit të drejtësisë, ndërsa gjashtë anëtarë zgjidhen nga trupa e gjyqtarëve, me votim nga gjithë gjyqtarët e vendit. Gjashtë anëtarët gjyqtarë duhet të përfaqësojnë nivelet e ndryshme të gjyqësorit: tre anëtarë nga gjykatat e shkallës së parë, njëri prej të cilëve nga gjykatat jashtë Tiranës; dy anëtarë nga gjykatat e apelit, njëri prej të cilëve nga ato jashtë Tiranës; dhe një gjyqtar i Gjykatës së Lartë.

Ligji 115/2016 për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë përcakton një procedurë të ndryshme për zgjedhjen e anëtarëve gjyqtarë të KLGJ-së së parë nga ajo për zgjedhjen e anëtarëve të rinj pas mbarimit të mandatit të anëtarëve ekzistues.

Për krijimin e KLGJ-së së parë, dispozitat kalimtare të ligjit të mësipërm (neni 267) përcaktojnë se brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e ligjit “gjyqtarët e interesuar për pozicionin e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor paraqesin pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit një kërkesë ku shprehin interesin për të kandiduar dhe dokumentacionin që kërkohet për rivlerësimin.” Kandidatët gjithashtu paraqesin gjithë dokumentacionin e nevojshëm ligjor për kandidim tek Kryetari i Gjykatës së Lartë, i cili bën vlerësimin e përmbushjes së kritereve ligjore të kandidatëve.

Nga kandidatët që plotësojnë kriteret dhe që kalojnë vetingun zgjidhen gjashtë anëtarët e KLGJ-së, me votim të të gjithë gjyqtarëve të vendit, të cilët mblidhen në një Mbledhje të Përgjithshme të gjyqtarëve të të gjitha niveleve.

Por Ligji 115, i cili u miratua në mënyrë të njëanshme nga shumica socialiste, nuk ka parashikuar se çfarë ndodh nëse asnjë nga kandidatët, përfaqësues i nivelit përkatës të gjyqësorit, nuk kalon vetingun ose nuk përmbush kushtet ligjore.

Dhe kjo është situata me të cilën po ndeshemi aktualisht: asnjë nga kandidatët që përfaqësojnë gjykatat e apelit jashtë Tiranës nuk ka kaluar vetingun.

E gjendur në këtë ngërç dhe boshllëk ligjor, shumica socialiste duket se ka përqafuar sërish një zgjidhje të paligjshme: të injorojë dispozitat kalimtare të Ligjit 115/2016, të cilat përcaktojnë mënyrën e zgjedhjes së KLGJ-së së parë, dhe të përdorë dispozitat që ligji ka parashtruar për përtëritjen e zakonshme të KLGJ-së—pra dispozitat që përcaktojnë zgjedhjen e anëtarëve të rinj të KLGJ-së për të zëvendësuar anëtarët në detyrë që përfundojnë mandatin e tyre.

Për këtë procedurë, Ligji 115 në nenin 9, pika 1 shprehet:

“Jo më vonë se 4 muaj nga data e mbarimit të mandatit të anëtarëve gjyqtarë në detyrë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Kryetari i Gjykatës së Lartë shpall thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit nga gjyqtarët e interesuar për pozicionin e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor.”

 Siç është nënvizuar, është e qartë që dispozita e mësipërme zbatohet jo për KLGJ-në e parë, por për zëvendësimin e gjyqtarëve në detyrë që kanë shërbyer mandatin e tyre. Por shumica socialiste duket se e ka shtyrë Kryetarin e Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori të hapë një procedurë të posaçme kandidimi për të plotësuar vendin e anëtarit të parë të KLGJ-së që përfaqëson gjykatat e apelit jashtë Tiranës.

Por procedura që ai ka shpallur është e paligjshme, pasi ligji nuk ja jep atij këtë të drejtë. Mund të hamendësohet se Zaganjori ka pranuar ta marrë përsipër një kompetencë që ligji nuk ja jep në këmbim të konfirmimit të tij në detyrë nga vetingu—ai u konfirmua nga vetingu, pak ditë pasi shpalli procedurën, përmes një vendimi të dyshimtë të KPK-së, edhe pse ai nuk justifikoi dot pasurinë e tij qindramijëra euroshe. Aq i dyshimtë ishte vendimi i KPK-së për të, sa Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka kërkuar apelimin e vendimit.

Në fakt, shumica socialiste nuk do ta shkarkonte kurrë Kryetarin e Gjykatës së Lartë, edhe sikur ai të mos plotësonte asnjë nga kushtet e nevojshme për t’u konfirmuar, pasi mos pasja e një Kryetari në detyrë të Gjykatës së Lartë do të çonte në një ngërç të ri dhe të pazgjidhshëm pa ndryshime ligjore, duke qenë se Kryetarit të Gjykatës së Lartë i janë ngarkuar një sërë përgjegjësish për zbatimin e reformës në drejtësi.

Edhe pse ka hapur një procedurë të paligjshme, Zaganjori duket se është munduar të tregohet i kujdesshëm pasi thirrjen për kandidatë për anëtarin e KLGJ-së nuk e ka bërë në emër të tij, por në emër të Gjykatës së Lartë. Kjo e bën procedurën e thirrur edhe më të paligjshme, pasi Gjykata e Lartë nuk ngarkohet me asnjë lloj funksioni në krijimin e organeve të reja të drejtësisë—ligji i ka rezervuar nominalisht kryetarit të saj një sërë detyrash. (Shumë interesante është të mësohet se si mund të ketë arritur në këtë vendim administrativ Gjykata e Lartë, pasi ajo nuk ka ndonjë procedurë të tillë vendim-marrjeje për një veprim të tillë.)

Duket se situata e ndërlikuar ku është zhytur, mund ta ketë shqetësuar Zaganjorin, pasi para tre ditësh ai ka patur një kafe të gjatë me shefen e misionit EURALIUS Agnes Bernhard, sikurse tregon foto në fillim të artikullit. Dëshmitarët që i kanë parë, u shprehën për Exit.al se Zaganjori ka qenë shumë i zjarrtë në bisedë. Pas mbi një orë në kafe, Bernhard dhe Zaganjori kanë shkuar në zyrat e EURALIUS ku kanë vazhduar diskutimin e tyre.

Takimi mund të duket i pafajshëm në sipërfaqe—edhe pse është veprim i pazakontë që Kryetari i Gjykëtës së Lartë të shkojë në zyrat e disa ekspertëve me pagesë, qoftë edhe të paguar nga BE.

Por takimi është shumë domethënës—ai dëshmon se shumica socialiste po vazhdon të përdorë Misionin Euralius dhe Delegacionin e BE-së për t’u përpjekur të zgjidhë problemet e mëdha në zbatimin e reformës me veprime dhe vendime antiligjore, të cilat formalisht propozohen nga EURALIUS, nën petkun e BE-së.

Ky takim dëshmoi, gjithashtu, se sikurse në rastin e hartimit të ligjeve të dështuara të zbatimit të reformës në drejtësi, edhe për zgjidhjen e problemeve të tyre po përdoret e njejta qasje: propozime të hartuara nga ekspertë teknikë në menyrë jo transparente, jo institucionale dhe politikisht përjashtuese.

Ishte pikërisht një grup eskpertësh të EURALIUS, pa përvojë kushtetuese dhe pa njohuri mbi proceset politike dhe veçanërisht ato të Shqipërinë, që në një proces krejtësisht jo transparent e përjashtues, të komanduar tërësisht nga shumica socialiste, prodhuan ligjet për zbatimin e reformës në drejtësi, të cilat kanë sjellë paralizimin e sistemit të drejtësisë dhe kapjen e saj nga shumica socialiste.

Rasti më flagrant i veprimeve të EURALIUS është opinioni që propozoi një procedurë antikushtetuese për zgjedhjen e një prokurori të përgjithshëm të përkohshëm, çfarë ka çuar në kapjen totale të sistemit të drejtësisë nga qeveria dhe shkatërrimin e të gjitha hetimeve kundër politikanëve socialistë të korruptuar apo të lidhur me krimin.

Rasti më i fundit për zgjedhjen e anëtarit te KLGJ-së është një tjetër rast që dëshmon se EURALIUS, i vetëdijshëm për dështimin e reformës, tani është përfshirë në një përpjekje sistematike për të hartuar zgjidhje antiligjore dhe antikushtetuese për të fshehur dështimet e dukshme të reformës në drejtësi dhe për të ndihmuar shumicën socialiste për të kapur krejtësisht sistemin e drejtësisë.