Marrëveshja e Qeverisë Rama për Air Albania shkel MSA-në

Së fundmi, Komisioni Evropian i ka dërguar një letër qeverisë shqiptare për sqarime të mëtejshme në lidhje me “ligjin special” për shpronësimin e tokës publike përreth Teatrit Kombëtar me qëllim ndërtimin e kullave private nga kompania Fusha shpk.

Pyetjet e Komisionit Evropian në mënyrë specifike citonin nenet 71 dhe 74 të MSA-së, të cilat parashikojnë dy parime themelore për lidhjen e kontratave publike nga qeveria shqiptare, pikërisht konkurrencën e lirë dhe mos-diskriminimin. MSA përbën kuadrin rregullues ndërmjet vendit tonë dhe BE-së, duke qenë kështu mjaft i rëndësishëm për hapjen e negociatave në të ardhmen.

Përmendja eskplicite e kompanisë Fusha shpk brenda ligjit, i cili kalon çdo ligj të prokurimit publik dhe të konkurrencës së lirë, është dhunim i principit të mos-diskriminimit. Por, ky ligj është vetëm një nga disa prej rasteve të tjera kur qeveria Rama ka shkelur principin e konkurrencës së lirë dhe të mos diskriminimit.

Kështu, më 16 maj qeveria vendosi krijimin e kompanisë Air Abania shpk, projekt i Kryeministrit Rama nën kujdesin e Presidentit turk Rexhep Taip Erdogan.

Sipas Vendimit të Këshllit të Ministrave, numër 309, datë 16 Maj 2018, Air Albania është një projekt  Partneriteti Publik Privat, ku partnerët janë kompania shtetërore turke Turkish Airlines, shoqëria shtetërore shqiptare Albcotrol sha dhe kompania private shqiptare MDN Investment shpk.

I çuditshëm është fakti se të gjitha VKM -të e datës 16 maj janë firmosur nga zëvendëskryeministrja Senida Mesi, me përjashtim të VKM-së 309, e cila është firmosur nga Kryeministri Edi Rama, fakt i cili të bën të mendosh se ai ka marrë pjesë në mbledhje vetëm për të miratuar këtë VKM.

Partneri turk, Turkish Airlines, kompania e madhe ndërkombëtare e fluturimeve zotërohet në 49 për qind nga shteti dhe 50 për qind nga publiku.

Albcontrol sha është në pronësi të qeverisë shqiptare përmes Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe menaxhon hapësirën ajrore shqiptare sipas standarteve ndërkombëtare të fluturimit. Në mënyrë që Albcontrol sha të kishte kapital kontribues në PPP, qeveria kaloi tokën e aeroportit Nënë Tereza në pronësi të Albkontrollit, përmes VKM-së 274, të miratuar po më 16 maj.

MDN Investment shpk është kompani private e krijuar më 7 maj 2018, rreth 9 ditë përpara se qevwria ta bënte atë aksioner të Air Albania. Kapitali fillestar i kompanisë është rreth 100 mijë euro dhe është në pronësi të Sinan Idrizit. Sipas ekstraktit të QKR-së, MDN Investment ka për objekt ndërtimin e aeroporteve, shkëmbim parash, shërbim taksi, agjensi turistike, këshillim teknik dhe ekonomik, shërbimeve funerale etj, edhe pse kompania nuk ka pasur aktivitet të mëparshëm në Shqipëri.

Sipas VKM 309, Albcontrol dhe MDN Investment duhet të kenë të paktën 51 për qind të aksioneve në kompaninë Air Albania, por nuk është e përcaktuar se kush do të ketë shumicën ndërmjet Albcontrol dhe MDN Investment, ndaj mund të ndodhë që Idrizi de facto të ketë kontrollin e aksioneve shqiptare, edhe pse kompania ka kapital fillestar vetëm 100 mijë euro.

Tani njësoj si në rastin e Ligjit Special të Teatrit, MDN Investment nuk ka marrë pjesë në asnjë tender për të fituar kontratën fitimprurëse me qeverinë.

Në ndryshim nga partneritetet e tjera publike private, MDN Investment nuk ka paraqitur as “kërkesë të pakërkuar”, që të mund të merrte pikë bonus, dhe më pas të fitonte tenderin. Kompania, e krijuar më pak se një javë përpara se të shpallej fituese nuk ka ekzistuar aq gjatë sa për të krijuar një të shkuar në sektorin e linjave ajrore.

Të njëjtën gjë që po përpiqet ta bëjë me ligjin special për Fusha shpk-në, qeveria e ka bërë edhe për MDN Investment. Pa asnjë propozim, asnjë procedurë tenderimi të mbajtur sipas ligjeve shqiptare, qeveria — përmes një urdhëri— i ka dhënë një kompanie private mundësi të kontrollojë të gjithë kompaninë shqiptare të fluturimeve, e rrethuar nga toka publike e aeroportit Nënë Tereza.

Në prill, Kryeministri Edi Rama i bëri thirrje shqiptarëve, përmes faqes së tij në Facebook ofertën për punësim në këtë kompani, e cila ende nuk është regjistruar si biznes. Zoti Idrizi, kohët e fundit, premtoi se kompania e fluturimeve do të fillonte të kryente fluturime me vendet e evropës këtë verë, dhe në dhjetor do të fillonte fluturimet ndërkombëtare.