Pas një viti bllokim, në vjeshtë nisin punimet në bypassin e Fierit

Pas një viti bllokim, në vjeshtë nisin punimet në bypassin e Fierit

Më shumë se një vit pas falimentimit të kompanisë Serenissima dhe ndalimit të punimeve në bypassin e Fierit, qeveria ka njoftuar se në shtator do të rinisin punimet.

Megjithëse Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), financuesja e këtij projekti, lajmëroi që në gusht 2017, rihapjen e tenderit, ministri i Infrastrukturës Gjiknuri ka deklaruar se tenderi është hapur më 6 gusht 2018 dhe në fillim të shtatorit kontrata me kompaninë fituese duhet të jetë gati.

Deri më tani nuk dihet se cilat kompani apo konsorciume kanë marrë pjesë në tender.

Për ndërtimin e bypassit të Fierit, me gjatësi 22 kilomentra, i cili lidh rrugët Lushje-Fier, Levan-Vlorë dhe Levan-Tepelenë, qeveria do të përdorë fondet e mbetura nga kredia prej 48.8 milionë euro nga BERZH dhe Banka Evropiane e Investimeve (BEI).

Bypass-i i Fierit është pjesë e një korridori të rëndësishëm që lehtëson trafikun  nga Lushnja në Vlorë, veçanërisht gjatë sezonit turistik ku dhe fluksi i makinave është më i lartë. Gjatë muajve të verës, trafiku i rënduar në këtë aks ka qenë shqetësues për turistët.

Lajme te ngjashme