Nga Marlin Muça
Pasojat e shembjes së një teatri

E kam të lehtë të flas si student i drejtësisë mbi cënimin e Kushtetutës, shkeljen e MSA-së apo për vjedhjen e hapur që po i behet nje prone publike.Gjuha teknike ka vlerë ku palet ulen ne menyrë të barabartë dhe në mendje kanë interesin publik, jo interesin e një grushti të vogël oligarkësh. Ndaj, sot dua te flas si një qytetar i thjeshtë i ketij vendi, bir i nje familjeje mbi 70 vite pjesë e komunitetit tironas qe priti me ngrohtësi jo vetëm një çift të rinjsh nga Kosova por qindra e mijëra patriotë të dëbuar nga trojet shqiptare shekullin e kaluar.

Prishja e së vjetrës në emër të së resë nuk eshte vetëm produkt i nje mendësie të thjeshtë fitimi. Kjo praktikë i ka rrënjët tek një nga parimet bazë te së majtës, sipas së cilës e vjetra duhet shembur që në vend të saj të ndërtohet një shoqëri e re, me tradita te reja. Ky parim u zbatua me rigorozitet nga diktatura gjatë 46 viteve sundimi të saj. Komunistët nuk u mjaftuan me persekutimin e familjeve të vjetra të këtij qytetit por e derdhën urrejtjen e tyre patologjike dhe ndaj atyre ndërtesave dhe siteve me vlera të jashtëzakonshme kulturore. Prishën me pazarin e vjetër për ta zëvëndësuar me Teatrin e Operas dhe Baletit, një ndërtesë me tipare te mirëfillta të arkitekturës socialiste. E vazhduan me hedhjen në erë te Bashkisë së vjetër të Tiranës, produkt i arkitektures moderne italiane, për të ngritur Muzeun Kombëtar që kemi sot. Një masakër e pashembullt që vetëm një forcë e mbështetur ideologjkisht mund ta bëntë me atë vullnet të paepur.

Por, masakra e qytetit vazhdoi edhe pas viteve 1990. Kjo ishte një masakër që lindi si antidote ndaj botës së re që komunistet ndërtuan mbi gërmadhat e së vjetrës. Pamundësia për të lëvizur, herezia e të menduarit në mënyrë private e individuale i shtyu njerëzit drejt shthurjes që urbanistikisht përkthehet në katrahurën ku ne jetojmë sot.

Ethet e shkatërrimit nuk ecën më me tempin ideologjik por vazhduan si metastazë e një krimbi të ri “fitimi”. Parqet, lulishtet, kinematë e deri te banjot publike u bënë pre e nje ankthi urbanistik qe nisi në periferi e u shtri dalëngadalë drejt qëndrës. Për të arritur në ditët e sotme, ku për hir të pasurimit të oligarkëve nuk kursye as  fasada e Stadiumit Qemal Stafa, për t´i hapur rruge projekteve ambicioze të kullave. Dhe, në fundmi ky ankth urbanistik do të gllabërojë dhe Teatrin Kombëtar me justifikimin e një Teatri të ri, por me qëllimin e vëret për të ndërtuar aty kulla shumëkatëshe.

Ndaj, të gjithë ata që janë skeptikë me protestën e aktorëve dhe shoqërise civile, duhet t´i bëjnë vetes një pyetje: Nëse qeveria shkeli Kushtetutën për të plotësuar tekat e nje oligarku, çfarë do jetë e aftë të bëjë kur të kercenohet drejtpërdrejtë ekzistenca e saj politike? Çfarë do të ndodhë kur një krizë e re ekonomike t´i nxjerrë njerëzit në rrugë?

Nëse lejoni të prishet teatri atëherë mos t´iu duket e çuditshme kur në Parlament të miratohen ligje që cënojnë të drejtën e organizimit apo lirinë per t´u tubuar. Ju gazetarë që me ngulm censuroni protestat e artistëve, mos u frikësoni kur pushteti të kalojë ligje që vrasin lirinë e medias. Sepse të gjitha këto janë derivate të heshtjes që po shkërmoq grimcat e fundit të demokracisë në vend.