Reforma në drejtësi në Poloni – Komisioni Europian po korr atë që mbolli

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Reforma në drejtësi në Poloni – Komisioni Europian po korr atë që mbolli

Dje, Komisioni Europian i ka dërguar Polonisë një  “opinion të arsyetuar” lidhur me reformën e drejtësisë të miratuar nga qeveria e Partisë për Ligj dhe Drejtësi.

Qeveria polake ka kohë një muaj për t’u pajtuar me direktivën, më pas Komisioni ka të drejtë ta dërgojë çështjen në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë.

Konflikti mes Komisionit Evropian dhe qeverisë polake në thelb ka të bëjë me pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Më 20 dhjetor 2017, Komisioni deklaroi:

“Gjatë një periudhe dyvjeçare, autoritetet polake kanë miratuar më shumë se 13 ligje që prekin të gjithë strukturën e sistemit të drejtësisë në Poloni, duke ndikuar në Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën Supreme, gjykatat e zakonshme, Këshillin Kombëtar Gjyqësor, Shërbimin e Prokurorisë dhe Shkollën Kombëtare të Gjyqësorit. Ajo çfarë ka ndodhur është që qeverisë dhe parlamentit i është bërë e mundur që të ndërhyjë politikisht në mënyrë sistematike në përbërjen, kompetencat, administrimin dhe funksionimin e degës gjyqësore.”

Polonia u përgjigj duke shpjeguar se thjesht po heq nga sistemi i drejtësisë “gjyqtarët e korruptuar dhe komunistë” dhe po vendos “sundimin e ligjit”.

Siç e kam shpjeguar më parë, situata në Poloni tregon qartë standardin e dyfishtë të Komisionit Europian, i cili në fakt “në mënyrë sistematike i ka mundësuar” degëve ekzekutive (qeverisë) dhe legjislative (parlamenti) të qeverisë shqiptare që të marrin përsipër sistemin e drejtësisë dhe “të ndërhyjnë në përbërjen, kompetencat, administrimin dhe funksionimin e degës gjyqësore nën  justifikimin e” reformës në drejtësi “.

Komisioni dhe Delegacioni i BE-së në Shqipëri dhe “ekspertët e pavarur” të tij në EURALIUS në fakt kanë lejuar vazhdimin e një situate të tillë, siç ishte e qartë në rastin e emërimit të njëanshëm të Arta Markut si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme, duke e lejuar Markun që dhe të emërojë e shkarkojë prokurorë para se të përfundojë procesi i vetingut dhe të jetë formuar Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Megjithatë, nuk mjafton të paralelizosh dhe të tregosh kundërshtitë midis reformës së drejtësisë të sponsorizuar nga Komisioni në Shqipëri dhe reformës polake të drejtësisë të sulmuar nga KE. Ne duhet të kuptojmë se përpjekjet e qeverisë konservatore polake për të vënë sistemin gjyqësor nën kontrollin e tij janë rezultat i vetë procesit të pranimit në BE.

Procesi i pranimit në BE i jep pushtet të jashtëzakonshem qeverisë për të zbatuar reformën në drejtësi në mënyrë që të përputhet me acquis communautaire të BE-së. Forca retorike e shprehjes “BE-ja e kërkon këtë ” ka kaluar shumë nisma ligjore përmes parlamentit, sepse kjo shprehje e vetme hedh poshtë çdo shqetësim apo argument tjetër. Kjo ka qenë e dukshme në Shqipëri, ku mazhoranca socialiste ka miratuar e vetme projektligje të hartuar nga “ekspertët” për reformën në drejësi, që tani rezultojnë të jetë problematike.

Por rezultati më i dëmshëm dhe që do të vazhdojë për shumë kohë, i këtij procesi është se po ngulit tek qeveria mendimin se në fakt ajo mund të zbatojë në mënyrë të njëanshme reformat me pak apo aspak kontroll nga parlamenti apo gjyqësori. Me fjalë të tjera, nëpërmjet mënyrës se si e fuqizon ekzekutivin, procesi i pranimit në BE ushqen idenë se “sundimi i ligjit” mund të arrihet vetëm nëpërmjet pushtetit ekzekutiv. Pavarësisht nga të gjitha fjalët e fryra për “sundimin e ligjit” dhe “balancën e pushteteve”, procesi i pranimit në BE jep një mësim shumë të ndryshëm politik se si mund të përdoret pushteti për të ndryshuar në mënyrë të njëanshme ligjin në avantazhin e qeverisë. Është pikërisht kjo ide që nënkuptohet nga veprimet aktuale të qeverisë polake. Komisioni Evropian tani thjesht po korr  atë që ka mbjellë.

Kjo është e qartë dhe po t’i hedhim një sy politikanëve që po zbatojnë reformën polake të drejtësisë. Kryeministri Mateusz Morawiecki ishte zëvendësdrejtor i Departamentit të Negociatave të Anëtarësimit në Komitetin për Integrimin Evropian, ku ka mbikëqyrur dhe marrë pjesë në negociatat për pranimin e Polonisë në BE. Zëvendëskryeministrja Beata Szydło ka studiuar menaxhimin e pushtetit lokal në Bashkimin Evropian, ndërsa Ministri i Drejtësisë Zbignieë Ziobro është ish-anëtar i Parlamentit Evropian. Këta janë njerëz të cilët janë shumë të informuar për mënyrën se si punon Bashkimi Evropian dhe cilat janë parimet e tij; ata nuk veprojnë nga padituria.

Përkundrazi, ato po i drejtojnë një pasqyrë Komisionit Evropian dhe i  thonë: “Ju na mësuat si ta bëjmë këtë.”

Lajme te ngjashme