Shqiptarët e Mitrovicës kundër propozimit për shkëmbim territoresh me Serbinë

Shqiptarët e Mitrovicës kundër propozimit për shkëmbim territoresh me Serbinë

Shqiptarët e veriut të Kosovës janë kundër propozimit për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, specifikisht kalimin e Mitrovicës së Veriut Serbisë dhe të Luginës së Preshevës Kosovës, ide që së fundmi janë përfolur nga dy liderët Thaçi e Vuçiç.

Radio Kosova ka intervistuar disa prej banorëve në komunat e veriut, të cilët shprehen se në Mitrovicë ndodhen resurset më të mëdha të Kosovës, ndaj dhënia e asaj pjesë Serbisë nuk është zgjidhje.

“Lufta është bërë për Mitrovicën. Se, sikur t`ia kishim dhanë në fillim Mitrovicën nuk do të kishte luftë në vitet 1998/1999,” deklaroi një prej banorëve të veriut.

“Ajo që flitet se gjoja mund të ndodhë shkëmbim i territoreve nuk është aspak e favorshme për Kosovën. Të gjitha pasuritë më të mëdha natyrore janë në këtë pjesë. Si t`i humbim Trepçën, Zveçanin e Ujëmanin, e humbin krejt Kosovën, sepse këndej janë pasuritë kryesore”, tregon një tjetër banor i komunisë së Zveçanit.

Prej disa ditësh tashmë,  shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë është propozuar nga Presidenti serb Vuçiç si kusht për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe dhënien fund të konfliktit mes dy vendeve.

Lideri i Kosovës Hashim Thaçi në vend të termit “shkëmbim territoresh” përdor gjatë deklaratave publike termin “korrigjim territoresh” duke propozuar bashkimin e Kosovës dhe Luginën e Preshevës, por pa shpjeguar se çfarë do të përfitojë Serbia në këmbim të Luginës.

Në muajin shtator pritet të fillojë zyrtarisht “mësymja diplomatike”, veçanërisht ajo e presidentit serb për të siguruar mbështetje ndërkombëtare për arritjen e një zgjidhjeje përfundimtare.

 

Lajme te ngjashme