Shtyhet vetingu në polici, nuk janë formuar ende institucionet

Vetingu i forcave të policisë do të shtyhet për në shtator, pasi ka pasur vonesa në formimini e institucioneve që do ta kryenin atë, specifikisht në Komisionin e Jashtëm të Vlerësimit dhe Sekretariatin Teknik pranë kētij komisioni,

Sipas planit fillestar, në muajin gusht duhet të kishte nisur puna për hetimin e 300 dosjeve të para të drejtuesve të lartë të policisë.

Deri më tani nuk dihet ende se cilët janë anëtarët e komisioneve që do të bëjnë vetingun. Për Komisionin e Jashtëm të Vlerësimit dihet që do të ketë 15 anëtarë: 5 anëtarë nga punonjësit e ILDKP-së, 5 anëtarë nga pedagogët e Fakultetit të Ekonomikut dhe Juridikut dhe 5 anëtarë nga avokatët.

Ky komision ka për detyrë të verifikojë punonjësit e lartë të policisë, si:

  • Drejtorin dhe Zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Policisë, drejtorët dhe zëvendësdrejtorët e drejtorive qendrore si dhe shefat e komisariateve;
  • Komandantin e Zëvendëskomandantin, si dhe çdo oficer me gradë Major, Nënkolonel dhe Kolonel në Gardën e Republikës;
  • Drejtor i Përgjithshëm dhe zëvendësit të tij, si dhe drejtorë e shefa sektorit në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.

Ndërsa Sekretariati Teknik pranë këtij komisioni do të ndihmojë në procesin e hetimit administrativ.

Sekretariati teknik i Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit do të ketë 15 anëtarë.

Procesi i vetingut në polici erdhi si propozim nga Ministri i Brendshëm Xhafaj në tetor të vitit 2017, dhe ligji për mënyrën se si do të bëhet vetingu u votua nga parlamenti

Për më shumë rreth mënyrës se si formohen institucionet e vetingut në polici lexoni këtu.

Procesi i dorëzimit të deklarimeve të pasurisë dhe dokumenteve të tjerë nga policët përfundoi në fillim të muajit maj.

Gjatë këtij procesi më shumë se 500 punonjës të policisë nga 13 mijë në total u dorëhoqën.