Nga Andi Tepelena
Teatri dhe ekonomia simbolike

Për Teatrin është thënë pothuaj gjithçka; nga tjetërsim i pronës publike tek shkatërrimi i trashëgimisë historike-kulturore, nga shkelje e ligjeve dhe Kushtetutës së vendit, tek injorimi i ndjeshmërisë dhe simboleve kombëtare. Kjo që po ndodh me Teatrin nga ana e Rilindjes dhe kryeministrit është deformim i rënde i demokracisë. Por në këtë shkrim do orvatem ta trajtoj çështjen e Teatrit nga një këndvështrim tjetër. Në një nga shkrimet më të famshme të Pierre Bourdie, një nga sociologët dhe intelektualët më enigmatikë të mesit të shekullit të kaluar, i cili trajton ‘logjikën e ekonomisë simbolike’, në shkrimin e famshëm mbi krijimin e besimit, Bourdie orvatet të aplikojë këtë model në ekonominë simbolike të artit bashkëkohor duke e nisur atë nga korrelacioni ekzistues midis vlerës estetike të artit bashkëkohor me ekonominë simbolike. Kështu, Bourdie identifikon figurën e “Nouveau riche”, që do të posedojë me çdo kusht një vepër arti, si shenjë prestigji dhe nuk pyet fare për koston që ajo realisht mund të ketë.

Ky blerës i ri është gati të paguajë një çmim afektiv që është jashtë fuqisë blerëse të tregut, por që në fakt jo vetëm përdor tregun, por e përcakton atë duke rritur vlerën e saj simbolike dhe si rrjedhim, çmimin e veprës. Por le të vijmë tek çështja e Teatrit, ku edhe për këtë rast mund të aplikohen konceptet e Bourdie. Kështu, Rama tenton të bëhet pjesë e tregut të artit bashkëkohor duke shfrytëzuar pushtetin politik. Ai përdor hapësirën COD dhe Galerinë Kombëtare për të promovuar veten dhe miqtë e tij. Duke i pasur nën kontrollin e tij të dyja këto institucione, ai përdor operacione marketingu për të rritur artificialisht vlerën monetare në tregun e artit të kontrolluar nga galeri të fuqishme, shpesh me lidhje okulte me kryeministrin, me qëllim përcaktimin e vlerës së veprave të artit të tij dhe miqve të tij. Me anë të kësaj forme kontrolli dhe influence pushteti, Rama falë ushtrimit të funksionit të tij, përdor asetet publike për të promovuar veten dhe miqtë e tij në vitrinat më të rëndësishme të artit dhe arkitekturës, Të gjitha këto operacione marketingu duket të përdoren, në saj të pushtetit të tij pakufi, për të pasur një “status symbol”, ku qëllimi mbetet vetëm një; rritja artificiale e vlerave estetike për të fryrë shifrat e veprave të tij dhe miqve ndaj klientëve ndërkombëtarë.

Por etja për të rritur “status simbol-in” e tij nuk ndalet vetëm në sa më lartë. Ai tashmë kërkon të përdorë edhe prona publike ku të shtrijë influencën e tij. Bourdieu e ka analizuar konceptin e Ekonomisë Simbolike edhe për tregun e pasurive të paluajtshme, vlera monetare e të cilit varet shumë nga vendime apo abuzime me pushtetin dhe bërja e ligjeve favorizuese në favor të një grupi klientësh dhe në dëm të shumicës, siç është dhe ky për Teatrin Kombëtar. Mjafton këtu të përmendim në formë shembulli konkret, projektimin dhe realizimin e stadiumit nëpërmjet PPP-s, nën justifikimin se shteti nuk ka para, duke komisionuar studio arkitekturore nën kontrollin e tij, për të kuptuar se qëllimi final shndërrohet në atë të prurjes në mënyrë direkte të ardhurash të shumta në xhepin e klientëve të tij vendës dhe ndërkombëtarë. Dhe, përnjëmend, kjo duket të jetë mënyra më e mirë për të justifikuar pasurinë “që përflitet” edhe nga raporte të ndryshme matëse të nivelit të korrupsionit në Shqipëri, ku shifrat marramendëse në pronësi të individëve autokratë në vende me nivel të lartë korrupsioni, rrisin në mënyrë artificiale tregun e shitblerjes nëpërmjet mekanizmash spekulativë të projekteve me kulla, qendra tregtare të destinuara të destinuara të vdesin që në lindje, me pasojë shkatërrimin e mjedisit dhe historinë e qytetit, duke krijuar kufijtë brenda qytetit, ndarje të bazuara në klasat sociale, si një formë “moderne” aparteidi urban.

Vepra “How to Build a Fairer City”, një manifest i arkitekteve europiane (Ewald Engelen, Sukhdev Johal, Angeli Salento dhe Karel Williams) vendos në kundërshti dy vizione të ndryshme të së ardhmes së qytetit: e para vizioni ekonomik neoliberal, i thjeshtësuar më pas në versionin e Edward Glaeser, “Triumph of the City”. Në këtë model jepet ideja e një perspektive që duhet të vijë përmes urbanizimit dhe konkurrencës midis qyteteve, të përbërë nga kulla gjithmonë e më të larta; arkitekturë befasuese, hotele të shtrenjta, qendra tregtare që krijojnë në dukje një brand në ndryshim të vazhdueshëm. Ky model na paraqitet kinse si motor kreativiteti dhe suksesi, pra lumturie. Modeli tjetër i kundërt i “How to Build a Faires City” është ai i një ndryshimi radikal perspektive. Fokusi në këtë model është ndikimi kulturor në imagjinatën kolektive, sjellja politike e përgjegjshme në aspektin e praktikave të qeverisjes duke braktisur garën e qendrave ‘copy&paste’ moderne duke synuar përtej, ekzaktësisht, tek karakteristikat specifike të secilit qytet dhe mbi potencialin krijues që qytetarët mund të çlirojnë nga vetëdija dhe nga kujtesa kulturore. Pra, krijimi i një modeli qyteti në gjendje të shpërndajë brenda vetes vlera njerëzore, të mira dhe shërbime që garantojnë jetë dinjitoze të qytetarëve të vet. Një argument si ky nuk u përket vetëm specialistëve të zhvillimeve urbane, ekonomisë dhe arkitekturës. I përket komunitetit të qytetarëve dhe si e tillë, politikës si një instrument që synon interesin e përgjithshëm të komunitetit.

Njëlloj siç po vepron me ekspozitat e veta, duke shfrytëzuar karrigen e kryeministrit, për të rritur “status simbol-in” në tregun ndërkombëtar të artit bashkëkohor, Rama përdor kullat në pronat publike në qendër të Tiranës, pikërisht në funksion të ekonomisë simbolike të tregut mobiliar ndërkombëtar. Institucionet tërësisht nën kontrollin e tij sillen në mënyrë të atillë, ku interesi privat i individëve mbizotëron lehtësisht mbi atë publik. Gjendemi përpara një skenari tipik ku qeveritë autokrate bëjnë një rritje fiktive të shifrave ekonomike me anë të ingranazhit të parave të pista, bëjnë ligje të posaçme apo favorizuese për klientët e tyre, intimidojnë shoqërinë civile dhe mediat, dhe në fund nxjerrin dekrete për të mbyllur teatrot, si tempuj të fjalës së lirë, shkatërrojnë trashëgiminë kulturore, me justifikimin e një zhvillimi modern. Busulla orientimi për qeverisjet e përgjegjshme duhet të jenë Kushtetutat dhe ligjet e vendeve perëndimore, që në çështje të kujtesës së qytetit dhe trashëgiminë kulturore vendosin të drejtën e qytetarëve për të vendosur. Mjafton të citoj këtu një nen të Kushtetutës italiane, ku thuhet: “Përmes ligjit themeltar të shtetit, bashkësia e qytetarëve, si burim i ligjeve dhe posedues i të drejtave, identifikon në trashëgiminë historike-artistike një element thelbësor të demokracisë, të barazisë, të lirisë. Një privilegj i qytetarisë”.

Në Kushtetutën gjermane fjala kyçe ‘Denkmal’ (monument) përfshin art, histori në një lidhje unitare të bazuar te kujtesa. Ekziston rreziku real që në këto kushte, një ekonomi spekulative e bazuar në “afera – klienteliste të personalizuara”, që nuk respekton dimensionin qytetar, të plasë si flluskë sapuni. Ndaj këto ditë lipset më shumë se kurrë dhe me urgjencë një rol aktiv i qytetarëve, të cilët nëpërmjet lirisë së shprehjes të demokratizojnë hapësirat publike, të ushtrojnë qytetarinë, të artikulojnë pasojat kulturore sociale të tjetërsimit të pronës publike nga një grusht “arteficesh–demagogjiko– propagandistike” në dëm të shumicës, të parandalojnë që Tirana, tashmë e shpërfytyruar në planin urban, të shkatërrohet akoma më shumë dhe të shndërrohet në një qytet konfliktual si pasojë e spekulimeve arkitekturore. Ky është një problem politik, i cili do të kushtëzojë jetët tona më shumë se çdo lloj ligji. Vetëm mbrojtja e trashëgimisë kulturore, kujtesës kolektive dhe garantimi i të drejtave qytetarëve jep një rrugëzgjidhje. Sot, mbrojta e Teatrit dhe pronës publike, aty ku Teatri “banon”, bëhet me imperative se kurrë për t’ju përgjigjur parimeve të barazisë sociale, drejtësisë dhe demokracisë.

Duke e mbyllur me shprehjen e presidentit amerikan, Theodore Roosevelt: “Duhet të ndalojmë një minorancë pa parime të shkatërrojë një trashëgimi, që u përket brezave që do të vijnë. Lëvizjet për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe burimeve natyrore janë thelbësisht demokratike në frymë, qëllim dhe mjet”. Mendoj se ka ardhur koha që ne, qytetarët e Tiranës, në zgjedhjet e ardhshme të zgjedhim pikërisht ata kandidatë që do të rikuperojnë dimensionin njerëzor dhe komunitar të qytetarisë, do të respektojnë mjedisin dhe trashëgiminë historike-kulturore. Institucionet e përgjegjshme kanë detyrimin të bëjnë ligje me koncepte demokratike, që nuk sjellin padrejtësi sociale. Roli i institucioneve është të sjellë në qendër problemet njerëzore dhe sociale në kundërshtim me spekulimet mobiliare në emër të “gjoja” zhvillimit modern të Tiranës.


Ky artikull u publikua më parë tek Gazeta Shqiptare.