Thaçi, korrigjimi i kufijve nuk do të thotë ndarje apo shkëmbim territoresh

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë për median KosovaPress u shpreh se korrigjimi i kufijve nuk do të thotë ndarje apo shkëmbim të territoreve.

“Korrigjimi i kufijve nuk është term i shpikur nga unë, por shumë shtete në botë e kanë përdorur si mjet për të tejkaluar hasmëritë, për të zgjidhur problemet, për të krijuar paqe afatgjate. Këto ditë e kam përsëritur shpesh: korrigjimi i kufijve nuk nënkupton ndarje, nuk nënkupton shkëmbim të territorit. Po e them edhe ndryshe, korrigjimi i kufijve nuk do të sjellë ndarje të Kosovës. Këtë duhet ta kenë të qartë të gjithë”, — ushpreh Presidenti Thaçi.

Ai u shpreh se kërkesa e Kosovës është kthimi i  Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, “meqë Serbia nuk ka arritur që t’ju garantojë atyre të drejta, të cilat Kosova iu garanton serbëve në Kosovë”.

Zoti Thaçi i bëri thirrje të gjitha partive politike, shoqërisë civile për të punuar sëbashku me qëllim anëtarësimin e Kosovës në BE, NATO dhe OKB.

Ndersa për akuzat drejtuar Ish-Kryeministrit Berisha, Thaçi u shpreh se:

 “Unë e respektoj mendimin e tij, por mendoj se nuk mjafton vetëm respektimi i të drejtave të njeriut për shqiptarët atje, sepse Serbia ka dështuar ta bëjë këtë në vazhdimësi. Më vjen keq që disa media janë bërë mjeshtër të shtrembërimit të së vërtetës.  Unë nuk kam çështje të hapura personale me asnjë lider në Shqipëri apo në Kosovë”.