Vetingu – A po e luajnë Komisionerët Publikë rolin e tyre?

Ditët e fundit, Komisionerët Publikë kanë marrë rekomandime nga OperacioniNdërkombëtar i Monitorimit për të apeluar disa nga vendimet e KPK-së që konfirmojnë magjistratët në detyrë.

Sipas nenit B të Aneksit të Kushtetues, ONM-ja ka të drejtën për t’i dhënë “komisionerëve publikë rekomandime me shkrim për të paraqitur ankim. Në rast se Komisioneri Publik nuk i zbaton rekomandimet, ai përgatit një raport me shkrim duke dhënë arsyet e refuzimit.”

ONM e ka ushtruar këtë të drejtë kur i ka rekomanduar komisionerëve Publikë të ankimojnë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit konfimimet në detyrë të kreut të Gjykatës Kushtetuese Dedja, kreut të Gjykatës së Lartë Zaganjori, si dhe gjyqtarëve Gentian Medja, Artur Malaj e prokuorirt Gentjan Osmani.

Vetëm në rastin e Bashkim Dedes, KPK-ja e ka publikuar vendimin e marrë më 13 qershor më datë 13 korrik, brenda afatit 30 ditor, siç e parashikon Ligj i vetingut në nenin 55, pika 7.

Sipas nenit 63, pika 1, Komisioneri Publik ka kohë 15 ditë për të apeluar vendimin e KPK-së në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Ky afat ka kaluar më 28 korrik, e deri më tani KPA nuk e ka regjistruar ende apelimin e vendimit në faqen e saj zyrtare, edhe pse zakonisht ajo i publikon kërkesat në faqen e saj brenda 4 ditëve. Megjithatë në disa raste të mëparshme, Komisionerët Publikë i kanë apeluar vendimet e KPK-së jashtë afatit zyrtar, madje pa bërë publike as ndonjë kërkesë për zgjatje afati.

Nëse Komisioneri Publik ka vendosur të mos ankimojë vendimin e KPK-së për gjytarin e Kushtetueses Dedja,  atëherë ai duhet të përgatisë një raport të detajuar me shkrim me arysetimet ligjore, por ligji i vetingut duket se nuk jep asnjë afat për dorëzimin e këtij raporti.

Roli i Komisionerëve Publikë në procesin e vetingut është të përfaqësojë interesat e publikut shqiptar. Megjithatë, deri më tani duket se Komisioneri Publik nuk ka përmbushur ato standarde. Më parë, komisioneri Heral Saraçi u akuzua për sabotimin e procesit të verifikimit dhe për këtë, KPK-ja ngriti një komision disiplinor për të shqyrtuar rastin e tij. Më pas, komisioneri Saraçi u shkarkua nga detyra.

Deri më tani, Komisioneri Publik ka paraqitur vetëm ankesa për vendimin e KPK-së për ish-Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla, prokurorin Sulejman Tola dhe gjyqtares Mirela Fana. Nga ana tjetër, KPA-ja ka publikuar deri më tani vendimin e saj vetëm për rastin e Zotit Llalla duke e rrëzuar kërkesën e Komisionerit Publik.

Për asnjë nga vendimet e KPK-së për të konfirmuar magjistratët në detyrë, Komisionerët Publikë nuk kanë bërë apelime vetë, të pa nxitur nga ONM-ja.

Kjo ngre pyetjen e rëndësishme: a është Komisioneri Publik i aftë të mbrojë interesat e popullit shqiptar vetë apo varet plotësisht nga mbështetja e ekspertëve ndërkombëtarë, roli i të cilëve do të ishte thjesht “këshillues”?