Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Vetingu merr pushimet – Si paraqitet situata deri më tani?

Institucionet që bëjnë verifikimin e magjistratëve (KPK, KPA, KP) në kuadër të procesit të vetingut, do të jenë pushim deri më datën 3 shtator. Deri më tani, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ende nuk e ka publikuar kalendarin e seancave për shtatorin, ndërsa Kolegji i Posacëm i Apelimit ka vendosur mbajtjen e disa seancave.

Deri më tani, KPK ka përpunuar dosjet e 60 magjistratëve: 45 për qind e magjistratëve janë konfirmuar në detyrë, ndërsa 35 për qind janë shkarkuar. Pjesa tjetër e dosjeve janë ndërprerë ose pezulluar (në rastet kur magjistratët janë dorëhequr përpara se të përfundojë vetingu) dhe disa dosje janë ankimuar nga Komisionerët Publikë.

Është e paqartë nëse këto përqindje janë sipas pritjeve të qeverisë ose të bashkësisë ndërkombëtare. Në një intervistë me Deutsche Welle-n, drejtoresha e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit Genoveva Ruiz Calavera deklaroi se ajo ishte “e bindur se shumë gjyqtarë dhe prokurorë do ta kalojnë vetingun pa vështirësi”.

Gjatë kësaj faze të parë, u përballën me procesin e vetingut kryesisht kandidatët prioritarë për Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP), Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGj), Këshillin e Emërimeve në Drejtësi (KED) dhe Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë (ILD).

Si rezultat, Gjykata e Lartë ka hapur tashmë një tjetër thirrje për kandidatë shtesë për KLGj-në, pasi jo majftueshëm kandidatë kaluan vetingun.

Ndërkohë, formimi me sukses i KLP-së varet nëse dy prokurorë nga Prokuroria në Gjykatën e Krimeve të Rënda mund të llogariten si prokurorë nga Prokuroria Speciale (SPAK), e cila nuk është formuar ende si pasojë e mosformimit të KLP-së. Është ende e paqartë nëse dhe si do të zgjidhet ky rreth vicioz për formimin e dy institucioneve që duhet të ishin formuar me kohë.

Për më tepër, KED është bërë jofunksionale, pasi disa nga anëtarët e saj nuk arritën të kalonin vetingun. Kjo do të ketë pasoja serioze për instalimin e një Gjykate të re Kushtetuese, kandidatët për të cilët do të verifikohen më së shumti në vjeshtë.

Në të njëjtën kohë, Komisionerët Publikë priten të paraqesin disa ankesa me rekomandimin e Misionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), ankimime që nëse merren parasysh nga KPA-ja do të rrezikonin më tej kandidatët për KLP e ILD dhe do të shtynte më tej në kohë procesin e instalimit të këtyre institucioneve të reja të drejtësisë.

Për sa i përket gjinisë, rezultatet e derimëtanishme të vetingut tregojnë një asimetri interesante: ndërsa burrat shkarkohen dhe konfirmohen në përqindje pothuajse të barabarta, duke anuar më shumë drejt shkarkimit, gratë në përgjithësi kanë shans shumë më të lartë për t’u konfirmuar. Meqë shumica e shkarkimeve janë bazuar në vlerësimin e pasurisë (dhe për këtë arsye shenja të korrupsionit), a do të thotë kjo se gratë janë më pak të korruptuara se meshkujt? Apo ka të bëjë me faktin se shumica e komisionerëve të KPK-së janë gra, gjë e cila sjell – edhe pse në mënyrë të pavetëdijshme- paragjykim gjinor?