Presidenti Serb Aleksandër Vuçiç ka planifikur një mësymje diplomatike, në muajin shtator, për të siguruar mbështetje ndërkombëtare për planin serb për arritjen e një marrëveshje me Kosovën, edhe pse ende nuk është bërë publik propozimi konkret që Serbia ka paraqitur në bisedimet me palën shqiptare.

Fillimisht, Vuçiç do të vizitojë Mitrovicën në fillim të muajit shtator. Sipas një zyrtari të qeverisë serbe, të cituar nga B92, qëllimi i vizitës është të afrojë “mbështetje për serbët që jetojnë në Kosovë, dëgjojë problemet me të cilat ata përballen, t’i pyesë nëse ndeshen me kërcënime për sigurinë e tyre dhe t’u afrojë atyre më shumë ndihmë.

Ky takim do të paraprihet nga një takim i Vuçiçit me përfaqësuesit të serbëve që jetojnë në Kosovë. Ky do jetë takimi i dytë brenda dy muajsh.

Po në shtator Vuçiç me gjasa do të mbajë një takim tjetër me Presidentin Thaçi. Maja Kojančič, zëdhënësja e Komisioneres së Jashtme Federica Mogherini, është shprehur se për këtë takim palët ranë dakord gjatë takimit të fundit mes tyre, korrikun e kaluar, por ende nuk dihet nëse ky takim do të mbahet me siguri dhe nëse do të mbahet gjatë vizitës së Vuçiçit në Kosovë.

Në mes të shtatorit, Vuçiç ka planifikuar, githashtu, t’i drejtohet publikisht kombit serb në lidhje me zgjidhjen e çështjes së Kosovës, ku pritet që ai të bëjë publikë qendrimin përfundimtar serb për marrëveshjen me Kosovën.

Po në mes të shtatorit, Vuçiç do të zhvillojë një vizitë Kinë. Një nga qëllimet kryesore të vizitës dhe temë kryesore në bisedimet me autoritetet kineze do të jetë mbështetja e Kinës për Serbinë në kuadër te arritjes se marrëveshjes me Kosovën. Një zyrtar i lartë serb u shpreh për gazetën Blic se në lidhje me Kosovën serbët presin që Kina të rikonfirmojë mbështetjen e tyre për Serbinë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Sidoqoftë, duhet theksuar se Mbretëria e Bashkuar, e cila sapo ka marrë drejtimin e Këshillit të Sigurimit (KS), nuk e ka përfshirë çështjen e Kosovës në axhendën e Mbleshjes së KS-së në muajin gusht. Ky vendim u mor pavarësisht këmbënguljes së Rusisë dhe Kinës për ta përfshirë këtë çështje.

Javën e tretë të shtatorit, Vuçiç do të udhëtojë për në SHBA. Ai do të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku do të mbajë një fjalim që do përqendrohet tek çështja e Kosovës. Burime serbe bëjnë me dije se gjatë vizits në Amerikë, Vuçiç do të takohet me zyrtarë të lartë të administratës Trump pa përcaktuar se me kë.

Në fund të korrikut, Kryeministrja serbe Ana Brnabic dhe Ministri i Jashtëm Ivica Daçiç vizituan SHBA-të, ku, ndër të tjera, u takuan me këshilltarin e Presidentit Trump për sigurinë John Bolton, Sekretarin e Thesarit Steven Mnuchin, senatorë dhe kongresmenë përgjegjës për punët e jashtme. Tema kryesore në të gjitha këto takime ishte ajo e Kosovës.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë të përfshirë në bisedimet Kosovë-Serbi, përfshi Bashkimin Europian, kanë përcaktuar pranverën e ardhshme si objektiv për arritjen e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.