Në presionin e opozitës AMA rindez transmetimet analoge

Pas ankesave të shumta të qytetarëve për fikjen e sinjalin analog dhe presionit të opozitës, Autoriteti i Mediave Audiovizive ka shtyrë vendimin për fikjen e transmetimeve analoge për 4 muaj.

Në një njoftim për mediat AMA bën me dije se:

“Kemi vendosur ridezjen e transmetimeve analoge. Për ata që kanë blerë aparatin e ri do të vijojnë që të shikojnë transmetimet dixhitale, ndërkohë që ata që ende nuk janë pajisur u lihet katër muaj kohë për t’u pajisur me dekodera, do të shtyhet afati në 15 janar 2019”.

Opozita e konsideron detyrimin e qytetarëve për të blerë dekoder taksë të shtuar. Në kërkesën për shtyrje të kalimit në transmetim digjital të firmosur nga Kryetarja e Komisionit të Medias Albana Vokshi dhe nga deputetët e opozitës sqarohet se:

Bazuar në raportet e Bankës Botërore, rezulton se më shumë se gjysma e shqiptarëve jetojnë në varfëri. Në kohën që çdo qytetar paguan taksën e aparateve televizive si pjesë e faturës së dritave, e konsiderojmë një ‘taksë’ të shtuar, të papërballueshme e të panevojshme, dhe abusive blerjen e një dekoderi që do t’u sigurnte aksesin në informacion. Duhet të sjellim në vëmendjen tuaj se shteti dhe institucionet e tij kanë detyrimin jo vetëm të njohjes së të drejtave formalisht, por edhe të garantimit të tyre në praktikë”.

Dje, AMA fiku transmetimet analoge për qyetet e Durrësit, Tiranës, Krujës dhe Kavajës.

Vendimi i tyre penalizon televizonet lokale dhe disa nga televizonet kombëtare që ende nuk kanë kaluar në transmetim dixhital.