Basha: Vettingu i politikanëve do të nxjerrë nga politika ata që qeverisin me krimin

Basha: Vettingu i politikanëve do të nxjerrë nga politika ata që qeverisin me krimin Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha njoftoi sot se ka kërkuar zyrtarisht në kuvend që projekt-ligji i vettingut në politikë të fillojë të diskutohet sa më shpejt, për të bërë të mundur largimin nga politika të politikanëve të lidhur me krimin.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Zoti Basha tha se opozita ka kërkuar mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit dhe komisionit të ligjeve që të nisë procedurat e nevojshme për ndryshimet kushtetuese:

“Duhet të nisë shqyrtimi i nismës kushtetuese të opozitës për të amenduar kushtetutën, që njësoj si gjyqtarët, prokurorët, e policët e thjeshtë, edhe politikanët t’i nënshtrohen vetingut.

Ditën e premte do të mblidhet Këshilli i Legjislacionit dhe Komisioni i ligjeve dhe brenda tre javëve do të procedojmë me votë.

Opozita ka vendosur të njëjtat definicone, i njëjti ligji si për gjyqtarët e prokurorët janë votuar nga Rama, Tahiri, Xhafaj. Modeli është ligji i Vetingut.

Opozita nuk do të jetë fasadë e një qeverie që do të bashkëqeverisë me krimin, ndaj është emergjencë të nisë menjëherë procedura.”

Duke folur për vettingun e politikanëve, Zoti Basha sqaroi se ai nuk pengon reformën në drejtësi dhe se largimi i politikanëve të lidhur me krimin nuk mund t’i lihet në dorë SPAK dhe BKH-së, siç pretendon shumica socialiste:

“Do jetë proces i pavarur dhe nuk ka lidhje me reformën në drejtësi dhe as vetingun në drejtësi.

SPAK e Byroja e hetimit kanë tjetër mandat, kanë mandat hetimit të politikanëve të korruptuar.   Vetingu i politikanëve i largon nga institucionet e vendit politikanët e lidhur me krimin.

Janë dy gjëra të ndryshme. Vetingu i nxjerr nga institucionet, SPAK e BKH i çojnë në burg.

Në rastin e vetingut barrën e provës e ka politikani, në rastin e hetimit penal barra e provës ështe e organit të akuzës. Vetingu i largon nga institucionet e vendit politikanët e lidhur me krimin.”

Kreu i PD-së tha se vettingu në politikë duhet bërë sepse vendi ndodhet në një situatë dramatike:

“Kjo nismë vjen në një kontekst dramatik për sa i përket depërtimit të krimit në nivelet më të larta të qeverisjes, të bashkëqevrisjes me krimin. Jemi në kushtet e një grushti shteti. Rama kontrollon gjykatat, prokurorinë, ndërsa policia struket para krimit.

Kriminelët nuk ndiqen penalisht. Licencat e lejet e ndërtimit i jepen një dorë baditësh që kanë deportuar në ekonominë private, që nga shtrimi i rrugëve te marrja e licencave minerale. Pra, krimi ka kapur edhe ekonomisë së shqiptarëve.”

Zoti Basha tha se shkak për të gjithë situatën dëshpëruese ku ndodhet ekonomia dhe shoqëria shqiptare, është bashkëqeverisja e Ramës me krimin:

“Prokuroria është shërbëtore e mjerë e Ramës. Balla pranoi publikisht miqësinëme një të dënuar, pjesë të bandës së Aldo Bares. Alket Hyseni ka rrëmbyer prona në jug, asgjë nuk i ka ndodhur. Arben Ahmetaj, Gjiknuri i regjistruar duke bërë pazar me kriminelët për vota e nuk i ndodh asgjë, Dako i lidhur me krimin. Po dje, u lirua dhe Ermal Hoxha se nuk nxorri emrin e Olsi Ramës. Saimir Tahirit, që u vërtetu që me jaht personal lëvizte nga Mali i Zi, [Rama] i jep mbrojtje politike. Xhafajt po ashtu. Xhafaj dhe Tahiri kanë provat e përfshirjes së Olsi Ramës në Xibrakë, kjo është dosja me të cilën mbahet peng Edi Rama. E mbajnë peng bandat që bëjnë ligjin nga Shkodra në Vlorë.”

Lajme te ngjashme